Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë sot bilancin e punës së institucionit të drejtuar prej saj për vitin që sapo lamë pas. Në një deklaratë për mediat, Topalli e ka vënë theksin në vecanti tek miratimi i buxhetit për vitin 2011, që sipas qeverisë ka qenë më i madhi në histori.

“Janë zhvilluar 484 mbledhje në Parlament, deputetët kanë propozuar 736 amendamente dhe janë zhvilluar 124 seanca dëgjimore. U miratua buxheti më i madh dhe ligje të rëndësishme, si ai për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar”, ka deklaruar Topalli.

Një tjetër prioritet, sipas Topallit, ka qenë miratimi i ligjeve për cështjet sociale. “Kemi miratuar gjithashtu ligjin për sigurimet shëndetësore dhe për mbrojtjen e fëmijëve, pasi cështjet sociale janë prioriteti ynë”, ka nënvizuar Topalli.

Ajo ka theksuar se Kuvendi ka dhënë një kontribut të vecantë edhe në hartimin e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian.

Më tej ajo ka kritikuar opozitën, e cila ka munguar për një vit e gjysmë në Parlament dhe për pasojë nuk ka dhënë konsensusin e saj për reformat e kërkuara nga BE.

“Ne nuk e ndryshojmë dot lidershipin e PS, që t’i bindim dhe të votojnë. Por e kam për detyrë që t’i ftoj në Kuvend”, ka shtuar Topalli, e cila ka rikonfirmuar se mazhoranca nuk do ta ndryshojë kurrë axhendën e saj, me apo pa bojkotin e opozitës.

Kjo e fundit, sipas saj, është përgjegjëse për refuzimin e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

SHPËRNDAJE