Vaçe Zela, një zë i paharruar i këngës shqipe (2)

Vaçja buzëqesh dhe është tepër e lumtur.  Pranë ka edhe mesazhet e shumta të miqve dhe dashamirësve të saj. Kujton me respekt shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili ndër të tjera është shprehur për të:” Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të dremitur. Edhe lashtësinë e këngëve popullore e afroi dhe e bëri të sotme dhe moderne. Edhe krijimet e kompozitorëve i pasuroi dhe ua rriti vlerat. Me mjeshtërinë e një këngëtareje të shquar ua rriti dëshirën kompozitorëve për të krijuar këngë dhe ua nxiti zellin në një garë të madhe artistike, ashtu siç hyjnë në garë vrapuesit në një stadium madhështor”.

Kur e pyetën kritiken Zana Shuteriqi për mendimin e shprehur prej saj që, e konsideron Vaçe Zelën një Edith Piaf të këngës shqiptare, ajo u përgjigj: „Natyrisht, unë kam patur parasysh këngëtaren franceze si vlerë kombëtare që arriti me muzikën e lehtë të vendit të saj. Edhe sot emri i saj përmendet si pikë referimi edhe pse kanë dalë këngëtarë të rinj. Prandaj, duke parë te Vaçe Zela të njëjtën vlerë historike, si fenomen artistik, dhe po atë glorifikim të personalitetit të saj, e kam konsideruar këngëtaren tonë si një Edith Piaf të muzikës shqiptare“. Ndërsa As. Prof. Nexhat A. Agolli që ka bërë një punë të shkëlqyer me monografinë e tij me titull “Vaçe Zela- magjia e këngës shqiptare” ndër të tjera shprehet: « Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret më në zë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi,e cila pushtoi skenën shqiptare : fillimisht me këngën popullore dhe, krahas saj, në vazhdimësi, edhe me këngën e muzikës së lehtë. Në të dy këto zhanre muzikore, ajo arriti një kulm që nuk do të shlyhet nga kujtesa artistike. Një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj aq të ngrohtë e të gjithpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe : në të parën, adoleshente dhe në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenithin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e pangjashme me atë të tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufijtë e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të magjishëm”. “Interpretim brilant”, “talent i lindur”, “vokal i shkëlqyer”, “Këngëtare e rrallë”, “mahnitëse” janë disa nga vlerësimet për interpretimin artistik të Vaçe Zelës…Një pasdite ajo hapi letrat e shumta që merr çdo ditë. Janë letra edhe nga njerëz të panjohur që shprehin çiltër ato që ndjejnë kur dëgjojnë akoma këngët e saj të rregjistruara. Takimet me njerëzit janë emocionuese, direkte dhe të sinqerta për Vaçen. Një personalitet i tillë shumë i respektuar, flet me modesti për veten, e më tepër flet për të tjerët. Ato shpesh përmbajnë një rrëfim, duke patur parasysh klimën e intimitetit që krijohet nga vetë ajo. Megjithëse është e rrethuar nga bashkëshorti, e bija dhe të afërm që i vijnë herë pas here, ajo shprehet me mall për vendlindjen. Ka tre vëllezër dhe dy motra që jetojnë në Tiranë. Ajo ka qenë e lidhur shumë me familjen. Ishte më e madhja dhe gjithmonë ka patur dëshirë t’i kishte pranë ata. Dhe ashtu i mbajti deri sa jetoi në Shqipëri…

Po ashtu edhe në Gjenevë, ku për nder të saj u shfaq edhe një dokumentar i bukur. Aty ishte edhe këngëtarja e shquar nga Kosova, Nexhmije Pagarusha. Vaçja dukej se e kishte mposhtur sëmundjen që e shoqëron prej vitesh. Ishte hera e parë qe Vaçe Zela, “Artiste e Popullit” dhe “Nder i Kombit. Tepër e emocionuar, ajo shprehu kënaqësinë e saj me fjalët “sot ju më shtuat jetën time, me një dekadë dhe nuk do ta harroj kurrë këtë pritje madhështore”. “Ju dhe të gjithë bashkëkombësit e mi, më keni frymëzuar që të këndoj dhe të jap një ndihmesë modeste për këngën në gjuhën shqipe, së bashku me të gjithë atë armatë këngëtarësh të suksesshëm.

“7 prilli ka qënë një ditë e veçantë. E kam të vështirë t’jua përshkruaj emocionet e asaj dite. Kam marrë telefonata të pafundme, të cilat kanë filluar ne oren 07:00 të mëngjesit dhe kanë përfunduar rreth mesit të natës. Më kanë marrë të njohur dhe të panjohur në telefon. Më ka prekur shumë edhe telefonata e një shkolle fillore. Ata zëra fëmijësh që më uronin të gjithë në kor ditëlindjen. Të gjitha këto unë kam fatin e madh t’i përjetoj për së gjalli, prandaj dhe i jam aq mirënjohëse atij vendi, që më rriti, më bëri atë që jam dhe që mbi të gjitha më nderon edhe sot, megjithëse mungoj prej gati një çerek shekulli nga skena shqiptare. Këtë gjë di ta bëjë vetëm populli ynë i mrekullueshëm. Isha vetëm nëntë vjeçe kur fillova të këndoj për herë të parë dhe më hipën në një karrige, më veshën një fustan nuseje. E vetmja gjë që nuk gjetën dot ishin një palë këpucë, kështu që herën e parë kam kënduar zbathur. Por nuk u kuptua, sepse i leva këmbët me shkumës. Edhe sot qesh, kur më kujtohet ajo ditë”.

A keni dëshirë të ktheheni ndonjëherë në qytetin tuaj të lindjes dhe në përgjithësi në Shqipëri ?

– Oh, kjo është një pyetje që më mirë mos të ma kishit bërë, sepse më mbush me trishtim. Kjo është ëndrra ime më e madhe. Do të doja me gjithë shpirt të shkelja edhe njëherë rrugicën ku kam lindur dhe kam kënduar për herë të parë. Të shoh se si ka ndryshuar Tirana, ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Lus Zotin çdo ditë, që të ma realizojë këtë dëshirë, sepse Shqipëria për mua ka qenë dhe mbetet vendi që më ka falur emocione të jashtëzakonshme, që më ka bërë të ndjehem njeriu më i lumtur në bote. Prandaj, ua them me gjithë shpirt; jam aq krenare që jam shqiptare, se ai vend më mungon më shumë se gjithçka tjetër./bs

SHPËRNDAJE