Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka qenë i prerë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke iu thënë deputetëve që nëse kanë lëndë dhe fakte për ta akuzuar dikë, atëherë le të drejtohen në prokurori, e mos të shndërrohet Kuvendi në gjyqësor. Reagimi i parë i Krasniqit ka qenë pas deklarimit të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka ngritur sërish çështjen e nxjerrjes së një rezolute për dënimin e krimeve të pasluftës në Kosovë.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Haxhiu ka thënë se kërkesa për rezolutë ka qenë e drejtë, andaj ka kërkuar që të mos bëhet politikë, por të gjitha çështjet e përfolura të marrin zgjidhje.

Kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar nga deputetët që ta kuptojnë detyrën e Kuvendit të Kosovës.

“Kërkoj nga ju që ta kuptoni drejt që Kuvendi i ka dy detyra, është institucion përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës i qeverisë dhe agjencioneve tjera. Kush ka lëndë dhe fakte për ta akuzuar këtë apo atë, është prokuroria, është gjyqësia dhe ju lus që t’iu drejtoheni atyre dhe mos ta shndërroni Kuvendin as në trup policor, as prokurorial, as gjyqësor”, ka thënë Krasniqi.

Në të njëjtën mënyrë i është kundërpërgjigjur edhe deputetit të LDK-së, Haki Demolli, i cili ka ngritur çështjen e dënimit të kryetarit të Suharekës, Blerim Kuçi me një muaj burg.

Demolli ka thënë se EULEX-i në vend që të raportonte këtë muaj, siç pritej, ai vazhdon me spektakle të tilla, përderisa mbesin të padënuar “peshqit e mëdhenj”.

“Sa është i arsyeshëm dënimi i tij nga ana e ndërkombëtarëve, kur peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit, jo vetëm që notojnë lirshëm, por madje janë shndërruar në peshkaqenë”, ka thënë Demolli.

Edhe në këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi ka pasur reagim të njëjtë. “Peshkaqenët e mëdhenj le t’i dërgojnë në prokurori”, ka thënë ai.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka ngritur çështjen e dhunës së ushtruar nga njësia speciale e Policisë së Kosovës kundër “Plisave” ditë më parë.

Ai e ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi për papërgjegjshmëri, ngase në vend që të kërkojë falje dhe të jap dorëheqje morale, ai ka thënë se nuk i bëjnë përshtypje fjalët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, në emër të tifozëve, kërkojmë që të vihen para drejtësisë ata që kanë qenë të lidhur me dhunën”, ka thënë Rexhepi, duke reaguar po ashtu edhe për emërimin e kolonelit rumun në krye të njësisë speciale të Policisë së EULEX-it.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i është kundërpërgjigjur Rexhepit, duke thënë se tashmë hetimi ka nisur për policët që kanë ushtruar dhunë, përderisa dy prej tyre tashmë janë suspenduar.

Ndryshe, në seancën e sotme Kuvendi ka për shqyrtim disa projektligje, mes të cilëve edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, Projektligjin për shërbimet e sigurisë private, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akreditim, Projektligji për gjendjen civile dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregtinë e brendshme.

Po ashtu, në rend dite është shqyrtimi i Planit të veprimit të Kuvendit për integrimet evropiane për vitin 2011 dhe miratimi i Rezolutës për angazhimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian

SHPËRNDAJE