Me qëllim të vlerësimit të situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës, pas sulmit me bombë që ndodhi në fund javën e kaluar, me ç’rast u vra një qytetar dhe u plagosën familjarët e tij në pronën e tyre private, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mësohet se ka filluar takimet me drejtues të institucioneve në Kosovë dhe me ata të makanizmave të sigurisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, këshilltari i presidentes për marrëdhënie me publikun, Arbër Vllahiu.

Zoti Vllahiu ka sqaruar se takimet po zhvillohen “në kuadër të kompetencave të presidentes, kushtetuese dhe ligjore, në përpjekje për të bashkërenduar veprimet institucionale”.

Në këtë kuadër, presidentja e vendit ka takuar sot ministrin e brendshëm Bajram Rexhepi dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ndërkaq gjatë ditës së sotme pritet të takojë edhe drejtues të tjerë të Institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

SHPËRNDAJE