Jahjaga në Samitin e Varshavës, Tadiq e ndjek në TV

 

Samiti i shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, që do të mbahet në Varshavë të Polonisë më 27 dhe 28 maj, do të mbledhë krerë shtetesh nga shumë vende të botës. Ndër ta do të jetë edhe Presidenti amerikan, Barack Obama.

Siç shkruajnë mediet serbe, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq nuk do të jetë i pranishëm, pasi në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet si shtet i pavarur, me të drejta të plota sikurse edhe shtetet tjera pjesëmarrëse.

Në arsyetim që mediet kanë marrë nga kabineti i Tadiqit, thuhet se krejt çka presidenti serb mund të bëjë në këtë rast është “të pajtohet me kushtetutën e vendit si dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

Siç kanë mësuar mediet nga burime diplomatike, në samitin që do mbahet në Varshavë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është ftuar edhe zyrtarisht për ta përfaqësuar Kosovën si shtet të pavarur.

Si pasojë e këtij vendimi të Polonisë, nikoqire e samitit, që edhe Jahjaga të trajtohet si shefe e një shteti, ka mundësi që as përfaqësuesit e Sllovakisë dhe Rumanisë të mos marrin pjesë në samit, si pasojë e politikës së tyre që refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni