Jahjaga: Ibrahim Rugova arkitekt i pavarësisë së Kosovës

 

Ibrahim Rugova ishte ideatori i projektit të politikës liri, pavarësi dhe demokraci dhe këto janë bazat e ndërtimit të shtetit tonë që kemi sot, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ajo këto komente i bëri të shtunën pas homazheve pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova dhe varrezave të dëshmorëve në lagjen “Velania” në Prishtinë, me rastin e Ditës së çlirimit të Prishtinës.

Presidentja Jahjaga deklaroi se vendosja e një buqete me lule të freskëta pranë varrit të presidentit të parë të Kosovës Ibrahim Rugova është një simbolikë pasi që sipas saj vepra e ideatorit të pavarësisë së vendit tonë është e paharrueshme.

“Ishte ideatori i projektit të politikës liri, pavarësi dhe demokraci dhe këto janë bazat edhe të ndërtimit tonë të shtetit që kemi sot, shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha se është nder për Prishtinën që sot presidentja ishte te varri i presidentit Ibrahim Rugova duke treguar përkushtim për të gjitha ata që janë angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ajo që neve na mbetet në Prishtinë është që ne ta vazhdojmë ta ndërtojmë këtë qytet, ta ndërtojmë edhe Kosovën, në mënyrë që të iu dalim borxh atyre që janë angazhuar, kanë flijuar dhe na kanë dhënë këtë vepër kaq të madhe”, ka thënë Mustafa.

Presidentja Jahjaga së bashku me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë kanë bërë nderime edhe te varrezat e dëshmorëve dhe vendosën buqetë me lule te shtatorja e Zahir Pajazitit.

Pas këtyre vizitave, ata shfrytëzuan rastin të pinë edhe nga një kafe së bashku në hotelin “Grand”.

Liria u arrit falë dëshmorëve

Përvjetori i çlirimit të Prishtinës shënon fundin e epokës së gjatë të përpjekjeve për liri, demokraci dhe pavarësi, u tha në një akademi me rastin e 12-vjetorit të çlirimit të Prishtinës.

Këtë akademi, e cila u mbajt të shtunën në ambientet e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, me pjesëmarrjen e tyre e nderuan drejtues të komunës së Prishtinës dhe institucioneve të larta të vendit, si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha se qytetarët e Kosovës po punojnë dhe po jetojnë në rrethana dhe në kushte gjithnjë më të përparuara, falë bijve dhe bijave të këtij populli, të cilët u flijuan në të gjitha fazat e historisë për liri dhe pavarësinë e vendit.

“Ne në asnjë mënyrë nuk do të harrojmë bijtë dhe bijat e këtij vendi që jetën e tyre ia kushtuan lirisë ia kushtuan mirëqenies së këtij populli, andaj edhe sot nga ky mjedis do t’i përkujtojmë dhe falënderojmë të gjithë dëshmorët dhe martirët e luftës, familjet e tyre dhe të gjithë ata që u sakrifikuan për Kosovën. Ata u sakrifikuan në të gjitha fazat e historisë tonë për lirinë dhe pavarësinë tonë”, ka thënë Mustafa.

Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, tha se ky përvjetor shënon fundin e një epoke të përpjekjeve për liri dhe simbolizohet me lëvizjen paqësore të ish-presidentit Ibrahim Rugovës dhe rezistencën e armatosur të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

“Përvjetori i çlirimit të Prishtinës, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, shënon fundin e një epoke të gjatë të përpjekjeve tona për liri, demokraci, pavarësi, të cilat u kurorëzuan suksesshëm pas lëvizjes aktive paqësore që simbolizohet me ideologun dhe arkitektin e platformës së pavarësisë dhe të jetës shumë partiake e demokratike të presidentit Ibrahim Rugova. Kjo ditë gjithashtu ndërlidhet me veprën e Adem Jasharit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rezistencën e armatosur për çlirim dhe për shtet formim”, ka thënë Jahjaga.

Ndërsa, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Fatmir Sopi, ka evokuar kujtime nga momentet e hyrjes së pjesëtarëve të Brigadës 153 të UÇK-së në Prishtinë, në qershor të vitit 1999.

“Këto formacione kishin për detyrë të mbronin nga masakra ata pak qytetar që kishin mbetur në Prishtinë të mos lejonin djegien dhe plaçkitjen e shtëpive nga forcat serbe që veç kishin filluar në pjesën verilindore të qytetit këto njësite të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kryen të gjitha detyrat me sukses dhe më 11 qershor të vitit 99 u ngrit flamuri kombëtar në të gjitha pjesët e qytetit të Prishtinës duke shpallur Prishtinën qytet të lirë “,tha ai.

Për nder të Ditës së çlirimit të Prishtinës, kryetari Isa Mustafa ndau mirënjohje për veprimtarë të arsimit, kulturës, sportit. Ai me këtë rast bëri të ditur se për nder të kësaj dite gjatë javës së ardhshme do të ndahen 50 banesa për rastet sociale, kurse deri në fund të vitit do të ndërtohen 48 banesa për familje të dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni