nehathys2-300x209            Shkruan: Nehat Hyseni

Gjendja në të cilën është sjellur Kosova sot me bllokimin e formimit të institucioneve kyçe të Kosovës, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarve, si dhe forumeve (trupave) punuese të Kuvend të Kosovës dhe Qeverisë së re, është e patolerueshme.
Ngërçi i krijuar nga apetitet e pangopëshme për pushtet, e kanë sjellur Kosovën në një krizë politike, ku janë vënë në lojë lidhjet midis akterëve të lidhur me interesa grupore e personale, në rend të parë midis Presidentes Atifete Jahjaga, PDK-së dhe kryetarit të saj, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kushtetueses, Enver Hasanit.
Në fakt, akterët e përmendur janë të thirrur dhe kanë obligim kushtetues, ligjor, politik e moral që ta sigurojnë funksionimin normal dhe të papenguar të shtetit të Republikës së Kosovës, e kurrësesi ta pengojnë atë.

Mjerisht, tani është duke ndodhur një situatë e tillë, që për shumë kend është e pakuptueshme dhe papranueshme, meqë shteti është zënë peng i interesave të ngushta dhe të dëmshme, duke i shkaktuar ekonomisë kosovare humbje dhe pengesa të mëdha.
Pasojat, siç deklarojnë ekspertët, do të jenë të mëdha dhe direkte në uljen e shkallës së zhvillimit ekonomik të Kosovës, që do të ket efekt të dëmshëm zinxhiror edhe në standardin jetësor të popullatës së Kosovës në përgjithësi.

Në rethana normale, sikur subjektet politike të bazoheshin në realitet dhe të pranojnë me sy çelë se shpresat e tyre se mund të fitojnë nga një proces gjyqësor pranë Gjykatës Kushtetuese dhe do të shpallen fitues të zgjedhjeve, siç shpreson PDK,  janë plotësisht joreale dhe të pamundura.
E vetmja gjë racionale që do duhej bërë në situatën e tanishme, është pranimi i gjendjes dhe realitetit të këtillë dhe tërheqja e kërkesës së PDK-sët nga Gjykata Kushtetuese, për kthimin në gjendjen “zero” të seancës së Kuvendit të Kosovës, duke e pranuar procedimin e mbledhjes së 17 korrikut 2014 dhe vazhdimin e formimit të institucioneve të Kosovës.

Poqese do të vepronte në këtë mënyrë PDK, nuk do të humbëte asgjë, meqë edhe ashtu nuk ka gjasa në asnjë variant të mundshëm ligjor e kushtetues që të del fituese, meqë nuk ka mundësi të krijimit të mazhorancës prej 61 deputetëve.
Poqese do ta pranonte realitetin ekzistues dhe do vepronte në atë mënyrë, PDK dhe Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tij  Presidentja Jahjaga dhe z. Enver Hasani, do ta zhbllokonin procesin e krijimit dhe ndërtimit të institucioneve të reja dhe Qeverisë,  duke na kursyer për të mos humbur kohë në proceset e kota gjyqësore, të cilët mund ta zhagisin procesin, por kurrësesi nuk munden ta shpallin fituese pakicën prej 37 deputetëve, qê nuk e përbëjnë as 1/3 nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Prandaj, apelojmë tek PDK dhe mbështetësit e saj, që ta tërheq kërkesën e vet pranë Gjykatës Kushtetuese, sepse në atë mënyrë do ta ruante autoritetin dhe besimin e vet tek elektorati i Kosovës, se nuk është e interesuar që verbërisht t’i mbrojë vetëm interesat personale e grupore-partiake, duke i dëmtuar proceset demokratike dhe formimin e institucioneve të reja, të dalura nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 në Republikën e Kosovës.

SHPËRNDAJE