Marrëveshja e shumëpërfolur për lëvizjen e lirë, e arritur në dialogun teknik Prishtinë-Beograd, e cila ka nisur të zbatohet javën e fundit të dhjetorit, ka sjellë deri të izolimi i banorëve të Luginës së Preshevës, për shkak të vendosjes së tarifave të larta për policat kufitare të sigurimit.

 

 

Lumturie BLAKAJ

Zëri

 

Madje, përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës thonë se kjo marrëveshje përveç se ka cunguar lirinë e lëvizjes edhe ashtu të kufizuar, ka zhytur në bllokadë të tërë qarkullimin e qytetarëve të atjeshëm. Mirëpo, autoritetet qeveritare në Prishtinë, zotohen se brenda pakë ditësh kompanitë e sigurimeve do të arrijnë një marrëveshje për heqjen e këtyre tarifave.

Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, i ka deklaruar gazetës përmes telefonit se marrëveshja e arritur për lirinë e lëvizjes mes palës kosovare dhe asaj serbe, është e disfavorshme dhe ka dëmtuar në masë të madhe xhepin e varfër të shqiptarëve të Luginës. Ai madje, ka theksuar se nga paraqitja e tarifave enorme dhe reciprociteti në kuadër të këtyre tarifave për policat kufitare të sigurimit, shihet se nuk është lehtësuar lëvizja e lirë, por përkundrazi është vendosur embargo për shqiptarët.

“Me këtë marrëveshje është bërë një kolaps për banorët shqiptarët të Luginës dhe se qytetarët tashmë janë të izoluar. Kjo marrëveshje vetëm sa ka cunguar lirinë edhe ashtu të kufizuar të lëvizjes, si dhe ka bllokuar qarkullimin e lirë”, ka thënë Musliu.

Sipas marrëveshjes, tarifat doganore që momentalisht paguhen nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë, kanë edhe çmimet e caktuara. Qytetarët e Luginës së Preshevës për të hyrë në Kosovë me veturë, paguajnë 60 euro për 15 ditë, ndërsa tarifa vjetore kushton hiq më pak se 603 euro. Por, kjo tarifë nuk vlen edhe për qytetarët që hyjnë me targa të Kosovës në Serbi, të cilët përveç se pajisen me targa provuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Beogradit, ata detyrohen të paguajnë për policat kufitare të sigurimit as më shumë dhe as më pak se 240 euro për një muaj.

Mirëpo, një qytetar nga Lugina e Preshevës i ka deklaruar gazetës se kjo masë nuk vlen edhe për qytetarët serbë, të cilët po vazhdojnë të qarkullojnë pa u penguar, me targat e tyre të vjetra ilegale ( GL, PR, UR…etj), pavarësisht se një gjë e tillë është në kundërshtim me vetë marrëveshjen e arritur në dialogun teknik mes Prishtinës dhe Beogradit.

Edhe Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Luginë të Preshevës, thotë se kjo marrëveshje vetëm sa ka përkeqësuar lirinë e lëvizjes dhe është në dëm të shqiptarëve të asaj ane.

“Është cenuar në masë të madhe liria e lëvizjes dhe me këtë marrëveshje, Prishtina zyrtare ka diskriminuar në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët e Kosovës Lindore”, ka thënë Kamberi. Sipas tij, është e logjikshme që të ketë reaksione të qytetarëve të Luginës përmes protestave të ndryshme, në rast se nuk hiqen brenda pak ditësh tarifat e larta doganore.

Mirëpo, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila po udhëheq dialogun Prishtinë-Beograd, është zotuar se brenda pak ditësh do të hiqen krejtësisht tarifat për policat kufitare të sigurimit. Ajo ka pranuar se këto tarifa janë mjaft të larta krahasuar standardin jetësor të qytetarëve të Luginës, pavarësisht se janë të përkohshme, porse është arsyetuar se kjo masë është vendosur me insistimin e palës serbe.

“Pakënaqësitë e banorëve të asaj ane kanë bazë dhe janë të kuptueshme, pasi që tarifat janë mjaft të larta, të cilat po pamundësojnë lirinë e lëvizjes. Por, i siguroj qytetarët e Luginës se shumë shpejt kompanitë e sigurime do të bëjnë një marrëveshje komerciale për heqjen e tarifave”, ka thënë Tahiri për gazetën.

Zëvendëskryeministrja ka pranuar se qytetarët serbë ende po vazhdojnë t’i përdorin tabelat e vjetra ilegale, porse u zotua se kjo praktikë do të përfundojë brenda pak ditësh.

Bisedimet në mes të janarit

 

Dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të vazhdojë gjatë janarit, ku palët pritet të takohen në Bruksel kah mesi i këtij muaji, për të diskutuar për çështjen e energjetikës, telekomunikacionit dhe përfaqësimit të Kosovës në nisma rajonale.

Mirëpo, udhëheqësi i ekipit të Beogradit, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se pala serbe ka kërkuar që në çështjen e përfaqësimit rajonal të Kosovës, të merret parasysh Rezoluta 1244 e KS-it, derisa kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri, thotë se nuk është hera e parë që Serbia vë kushte në kuadër të dialogut.

Sipas saj, Serbia tashmë ka marrë obligime në raport me Bashkimin Evropian dhe ato duhet zbatuar, nëse vërtet dëshiron që ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

SHPËRNDAJE