Diplomati italian, Fernando Gentilini definitivisht do të jetë përfaqësues i përkohshëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërkaq mandati i tij zgjat vetëm tre muaj.

Ai do t’ia marrë këtë post holandezit Pieter Feith, i cili është në këtë pozitë që nga shkurti i vitit 2008, ndërsa vendimin final do ta marrë së shpejti Catherine Ashton. Gentilini është i përfshirë edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar që diplomati italian, Fernando Gentilini të dërgohet në Kosovë si emisar special me mandat tremujor, citohen të kenë thënë burime për mediet.

Ndërkaq, Feith do të vazhdojë punën në Kosovë edhe pas 30 prillit, por vetëm si Shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, pozitë në të cilën ka mandat të pakufizuar.

Brukseli ka vendosur që emisari i ri të ketë mandat vetëm tre muaj për shkak se shtetet anëtare ende nuk janë pajtuar rreth riorganizimit të pranisë evropiane në Kosovë dhe nëse EUSR-ja do të shërbej edhe si Shef i ICO-së.

Deri në fund të korrikut të këtij viti, në BE shpresohet se do të ketë marrëveshje për rigrupimin e strukturave evropiane në Kosovë dhe do të emërohet Emisari me mandat të plotë.

Aktualisht, Fernando Gentilini është një nga këshilltarët për Ballkanin në Sekretariat të BE’së dhe është i përfshirë edhe në dialogun për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë.

SHPËRNDAJE