Islami: Qosja ia ka shkruar fjalimet edhe Sinan Hasanit

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) shpalli zgjedhjet për pranimin e anëtarëve të rinj në këtë institucion të lartë shkencor, derisa anëtarët e saj nuk hezituan t’iu përgjigjen kritikave të akademikut Rexhep Qosja.

Drejtuesit e Akademisë saktësuan se zgjedhjet do të mbahen më 26 nëntor të këtij viti, ndërsa të drejtën për të kandiduar e kanë të gjithë ata që plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara me ligj dhe statut të ASHAK-ut.

Kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, tha se në këto zgjedhje do të zgjidhen anëtarët korrespodentë, të rregullt, të jashtëm dhe anëtarë nderi. “Numri i atyre që do të pranohen në këto zgjedhje, si anëtarë të rinj të ASHAK ut, nuk është i kufizuar. Viteve të fundit, mungesa e buxhetit i ka shtyrë ata që të pranojnë vetëm 10 anëtarë të rinj. Me rastin e zgjedhjeve dhe gjithë veprimtarisë së saj, Akademia kurrë nuk e ka shkelur ligjin, statusin, rregulloret dhe aktet tjera”, theksoi Islami.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të akademikut Qosja, i cili vazhdimisht ka kritikuar ASHAK-un se është politizuar dhe se gjoja është bërë çerdhe e LDK-së, drejtuesit e ASHAK-ut të gjithë këto pretendime i hodhën poshtë në mënyrë kategorike.

“Kjo nuk është e vërtetë. Anëtarë të LDK-së janë vetëm dy veta – akademik Sabri Hamiti dhe anëtari korrespodent Isa Mustafa. Ky i fundit nuk ka qenë anëtar partie është pranuar. Propozimet kanë ardhur nga fakultetet, nga njësitë akademike. Ligji dhe statuti nuk e ndalon askënd që të konkurrojë”, ka sqaruar Islami.

KTV-ja raporton se gjatë mbledhjes së Akademisë është thënë se Qosja nuk shkon në Akademi prej vitesh, edhe pse merr rrogë nga ky institucion. Islami ka përsëritur se AASHK-ja nuk është politizuar dhe se qendron pikërisht e kundërta, pasi sipas tij, ka qenë Qosja ai që ia ka shkruar fjalimin edhe ish-komunistit Sinan Hasani, për t’u pranuar në Akademi.

Përkundër debatit të ashpër Akademia ka shpalosur edhe një projekt të madh – krijimi i një enciklopedie, e cila pritet të përfundojë brenda 10-15 vjetësh, kurse Fjalori enciklopedik pritet të jetë gati më 2015. /Telegrafi/


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni