Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet IREX, (organizatës së financuar me fondet amerikane që studion mes të tjerave edhe median), jep alarmin se në Shqipëri, mediat e pavarura po bëhen inekzistente duke u zhdukur çdo ditë e nga pak.
IREX ka publikuar këto ditë Indeksin e Qëndrueshmërisë së Medias, ku sa i takon Shqipërisë për vitin 2012 vërehet një rënie e ndjeshmë për tre nga pesë treguesit.
Sipas raportit, ndonëse organizmat ndërkombëtare po bëjnë thirrje për forcim të demokracisë dhe pavarësisë së mediave, në Shqipëri po ndodh e kundërta.
“Një numër në rritje i mediave i janë nënshtruar varësisë politike, kryesisht të partisë në pushtet. Tani media e pavarur dhe gazetarët janë një specie e rrallë, pranë zhdukjes”, thekson IREX në raportin e fundit.
Sipas këtij dokumenti, kriza politike dhe ekonomike, e cila filloi në vitin 2010 dhe u thellua në vitin 2011, krijo një klimë aspak të favorshme për median.

21 JANARI, FITORJA E LULZIM BASHËS, REFUZIMI I STATUSIT
IREX rendit tre prej ngjarjeve, të cilat sipas kësaj organizate konfirmuan dhe situatën reale të mediave në Shqipëri.
“Më 21 janar, ushtarët e Gardës së Republikës vranë katër qytetarë, në demonstratën paqësore kundër korrupsionit të qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha. Ngjarje tragjike, të cilat opozita i konsideroi një masakër, e që shkaktoi beteja politike që u stabilizuan disi deri pas zgjedhjeve lokale të 8 majit”, thuhet në raport.
SË DYTI, IREX rendit rezultatin e zgjedhjeve vendore. “Fitorja tepër e dyshimtë i Lulzim Bashës, si kandiati partisë në pushtet në garën për kryetar bashkie të kryeqytetit, intensifikoi krizën edhe më tej”, shprehet organizata.
Si goditje finale, raporti i financuar nga USAID rendit dështimin për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE.
Si pasojë, kriza politike por edhe ekonomia në rënia kanë bërë që gjatë vitit 2011, por edhe në muajt e parë të vitit 2012 të rritet presioni ndaj medias.
IREX vë re se për shkak të luftës politike, rënies ekonomike dhe varfërisë së tregut të reklamave, shumë gazeta po fundosen. Kjo ka provokuar disa pronarë mediash të regjistrohen në shërbim të kampeve politike në këmbim të kompensimit të tyre financiar.

QEVERIA SELEKTIVE
IREX konstaton në raportin e fundit se qeveria, jo vetëm ka në zotërim dhe përdorim fondet publike, por edhe ka aftësinë që nëpërmjet tyre të ofrojë “privilegje korruptive” (citon raporti) në favor të mediave që u shërbejnë. Një gjë e tillë, bën që “konkurrenca” të egërsohet.
“Nuk është thjesh koincidencë që media të cilat deri dje shiheshin si neutrale si: Panorama, Gazeta Shqiptare apo Neës 24), tani janë kthyer në media që i shërbejnë qeverisë. Sipas një delegacion e Parlamentit Evropian që vizitoi Shqipërinë në dhjetor të vitit të kaluar, vetëm dy media shihen si më të pavarura në vend.

LIGJI “NDËSHKUES”
IREX, duke u bazuar në deklaratat e ekspertëve të medias dhe përfaqësuesve të institucioneve që menaxhojnë marrëdhënien me median në Shqipëri, deklaron se në vendin tonë probleme lindin edhe nga Ligji për Median. Sipas ekspertëve ligji aktual është në stanjacion dhe problemi lind edhe nga fakti (sipas tyre) se në Kushtetuë për median flitet vetëm në një nen:MEDIA ËSHTË E LIRË.
Por, në të vërtetë sipas ekspertëve, gjithnjë e më shpesh gazetarët po e gjejnë veten në dyert e gjykatave.
IREX citon mes ekspertëve emra si Gent Ibrahimi, Aleksandër Çipa, Valentina Leskaj, apo Lufti Dervishi.
Ata pohojnë se megjithë mungesën e pavarësisë së theksuar, çdo vit e më shumë media po renditet si një sektor i zhvilluar i shoqërisë shqiptare.
“Numri i rasteve të gazetarëve, të cilët braktisin punën e tyre për një mundësi pune me fitime edhe më të mëdha, po rritet ndjeshëm”, citon IREX në publikimin e tij të fundit prej 16 faqesh.

MEDIAT QË GËLOJNË
Aktualisht në Shqipëri, botohen 160 gazeta; transmetojnë 58 radio ( nga të cilat 56 lokale dhe 2 kombëtare). Tv kanë njohur të zhvillim të shpejtë. Në total numri i tyre është 77, nga të cilat 71 janë lokale, 3 kombëtare dhe 2 janë satelitore. Ndërsa, 83 kanale televizive shihen nëpërmjet platforma kabllore.

Raportin e plotë të IREX mund ta gjeni në adresën zyrtare të IREX: http://www.irex.org

SHPËRNDAJE