“Të bërit biznes në regjionin e Ferizajt”, ishte tema e Forumit Biznesor të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Kolegji Universitar Universum.

Ferizaj,23 Prill 2012

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të këtij regjioni. Sipas tij nga hulumtimet që ka bërë AKB-ja, tregojnë se Ferizaj është njëra ndër komunat më të mira për investime dhe kjo është një shembull shumë i rëndësishëm.

“Hulumtimet tona tregojnë  se ky regjion është e dyta edhe për rritje pagash në nivel të Kosovës dhe është një vend potencial  për investime dhe bizneset  duhet ta shfrytëzojnë. Me të drejtë  Qeveria e Kosovës, duhet  të   jetë reformatore  dhe të bëjë reforma të thella, sepse ka probleme”, tha Agim Shahini.

Kreu i AKB-së, shtoi se  stacioni i investitorëve duhet të mbetet Kosova e jo siç po ndodh që bizneset  të ikin në shtet për rreth.  Synimi kryesor mbetet zhvillimi I shtetit.  Bizneset  tona po rrjedhin ngadalë si lumë , por sigurt, por kërkohen reforma të thella për zhvillimin ekonomik.

Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, tha se bizneset  kanë sakrifikuar çdo gjë vetëm e vetëm për të  hapur vende pune dhe zhvillimin ekonomik.

“Qeveria e Kosovës, është e interesuar për zhvillim ekonomik të gjithanshëm të Kosovës. Dëshirojmë që program për zhvillim ekonomik  të mos mbetet vetëm i qeverisë, por edhe atyre që fuqizojnë biznesin dhe zhvillimin ekonomik”, tha Besim Beqaj.  Sipas tij zhvillimi ekonomik nuk është vetëm detyrë e qeverisë, por e atyre që zhvillojnë atë dhe për të bërë një mjedis  të qëndrueshëm  e adekuatë edhe me legjislacion. “Ne po bëjmë reforma të thella për zhvillimin ekonomik”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Suat Berisha, kryetar i Bordit Drejtues të Universitetit Universum, tha se ideja për  organizimin e këtij forumi, ka për qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mundësive për nxitje më të madhe për një zhvillim më dinamik dhe të qëndrueshëm ekonomik të regjionit të Ferizajt.

“Nga hulumtimet tona  rezulton se ky regjion  disponon me kapacitetet dhe potencial të mirë sitë bizneseve  ashtu edhe të  resurseve humane dhe infrastrukturore për shtimin e ndërmarrësve të rinj dhe krijimin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla”, tha Suat Berisha.

Ai shtoi se  komuniteti i biznesit duhet të bëjë përpjekje shtesë  për inicimin e projekteve të reja  dhe të jetë  kërkues i vazhdueshëm kundrejt dikastereve qeveritare e lokale.  Ai kërkoi që krahas  avancimit politik të shfrytëzohen shanset edhe për avancimin e fuqishëm ekonomik  të shtetit të Kosovës. /KI, Kosovapress /

SHPËRNDAJE