Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës inkurajon Qeverinë e Kosovës që me vendosmëri të përfundojë operacionin policor në veri të Kosovës.

AAK është e bindur se situata e krijuar për vite me radhë në veri të Kosovës është problem i mungesës së sundimit të ligjit dhe meriton trajtim të tillë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po përcjellë me kujdes zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Duke pasur parasysh nevojën jetike për rivendosjen e kontrollit shtetëror legjitim në atë pjesë të Kosovës dhe posaçërisht në pikat kufitare-doganore 1 dhe 31, vlerësojmë se operacioni i Policisë së Kosovës duhet të rezultojë me krijimin e mundësisë për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në veri të vendit”, thuhet në komunikatë.

AAK inkurajon Qeverinë e Kosovës që me vendosmëri të përfundojë operacionin policor në veri të Kosovës, në mënyrë që atje të vendoset siguria publike dhe qytetarëve të asaj pjese t’u sigurohet të drejtat e njeriut.

“Kujdesi i shtuar dhe profesionalizmi në realizimin e operacionit është tejet i rëndësishëm për ruajtjen e jetës së qytetarëve të Kosovës në atë pjesë dhe oficerëve policorë. Ne çmojmë vullnetin e oficerëve të Njësive Speciale të Policisë për detyrën ndaj vendit, duke qenë të bindur në përgatitjet e larta fizike dhe profesionale të tyre”, theksohet në komunikatë.

Në të njëjtën kohë, AAK fton Qeverinë e Kosovës që të koordinojë plotësisht aktivitetet e veta me KFOR-in, si garantues i sigurisë së përgjithshme të vendit.

AAK thotë se ka insistuar që nga pjesa e parë e vitit 2008 që autoriteti i shtetit të përdoret për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës, si e drejtë e pakontestueshme sovrane e Republikës së Kosovës.

“Dëmet e deritashme që i janë shkaktuar shtetit dhe popullit të Kosovës kërkojnë adresim shtetëror, prandaj angazhimi i trupave speciale të Policisë së Kosovës ka qenë i pashmangshëm”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

SHPËRNDAJE