(AIK-Presheva Jone)

Libri i digjitalizuar, duket se ka ndryshuar trendin e leximit, por a duhet fajësuar elektronizimin e leximit për rënien e numrit të lexuesve?!

A po e zëvendëson bota virtuale librin klasik? Një gjë e tillë ende nuk dihet me saktësi, se pas sa brezash librat do të zëvendësohen nga versionet elektronike të tyre, por ama një gjë është e vërtetë se prezenca e librave elektronikë po zbeh gjithmonë e më tepër imazhin e librave klasik. Nga ana tjetër një pjesë e shoqërisë, veçanërisht rinia janë të mendimit se nuk është më në ‘modë’, leximi i librit të shkruar apo klasik, nga se një gjë e tillë është zëvendësuar me format e tjera, që i ofron teknologjia. Në këtë mënyrë njerëzit informohen nga interneti apo së fundi edhe me formën tjetër virtuale siç janë bibliotekat e digjitalizuara apo online. Por a është rasti t’ia vëmë gjithë përgjegjësinë e rënies së numrit të lexuesve, pikërisht, elektronizimit të leximit? Shumëkush mendon se nuk është më kulti i leximit të librave të shkruar dhe se kjo dëshirë për të qenë pranë tij është zëvendësuar tanimë me një formë tjetër, atë elektronike. Mirëpo Dafina Tigani nga libraria, “Dukagjini”, që ndodhet në kryeqytet nuk mendon se digjitalizimi i librave e ka dëmtuar librin klasik, përkundrazi, ajo thotë se interneti dhe teknologjia në përgjithësi e kanë rritur informacionin dhe ndikojnë në mënyrë shumë pozitive edhe në aspektin leximit. “Unë nuk mendoj që teknologjia e zëvendëson librin klasik.

Mund të them se përkundrazi ajo e ka rritur informacionin në lidhje me fushën letrare, pasi që njerëzit tashmë informohen nëpërmjet internetit për të gjithë titujt më të fundit dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe ata botërorë”,- ka nënvizuar ajo. Ndërsa janë studentë ata që më shumë preferojnë të marrin diçka nga interneti për shkak të mungesës së literaturës, por shpeshherë edhe për shkak të çmimeve të larta të librave. “Ndoshta janë këto dy arsyet se pse një pjesë e të rinjve, konkretisht studentët më shumë preferojnë të informohen nga interneti sepse literatura shumë herë është e mangët në lëndë të caktuara ose ndodh që çmimi të jetë shumë i lartë i atij libri. Kjo është mbase alternativa që ata duhet të zgjedhin në raste të tilla. Por megjithatë nuk mendoj që libri klasik mund të zëvendësohet, të paktën ata që janë lexues të rregullt dhe njerëz që e duan leximin nuk preferojnë që këtë ta bëjnë në mënyrë digjitale dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë librit klasik”,-ka shtuar znj. Tigani. Megjithëse teknologjia shpeshherë është diskutuar si konkurrencë e fortë e leximit klasik dhe literaturës në letër, duket se luan rolin dytësor kur bëhet fjalë për një lexim më të thukët të një vepre të caktuar. Albana Haxhiu një lexuese e pasionuar nuk e pranon idenë e zëvendësimit të leximit klasik. “Libri nuk mund të zëvendëset, pavarësisht se teknologjia ka filluar një farë mënyre të zbehë interesimin e qytetarëve, mirëpo leximi klasik është e pazëvendësueshëm, për shumë arsye”,- është shprehur ajo. Edhe pse libraritë thonë se nuk kanë hasur në pengesa të tilla, megjithatë literatura e digjitalizuar duket se ka zëvendësuar në një mënyrë apo tjetër leximin e librit klasik dhe kjo veçanërisht tek të rinjtë./B.S

SHPËRNDAJE