Interi mposhti Milanin dhe Juventusin në dy ndeshje me vetëm nga një pjesë, në kuadrin e turneut të përvitshëm miqësor “Tim”.

Në ndeshjen e parë, ajo midis zikaltërve dhe kampionëve në fuqi, në fushë u pa Lucio, që luajti për herë të parë përballë ish-shokëve të ekipit.

Megjithatë, braziliani dukej se luante ende me fanelën zikaltër, ndërsa i dha një “asist” të riut Coutinho, i cili realizoi golin vendimtar në të 11’. Juventusi rrezikoi dy herë me Quagliarellan, por ndërsa në rastin e parë sulmuesi goditi në mënyrë të pabesueshme jashtë, në episodin e dytë portieri Handanovic realizoi një pritje të mrekullueshme.

Në ndeshjen e dytë, kampionët e Italisë realizuan një paraqitje të mirë ndaj Milanit, në ndeshjen e parë që prej largimit të Ibrës dhe Thiago Silvës, ndërsa diferencën e bëri nga pika e bardhë e 11-metërshit Vucinic.

Sfida e tretë, ajo e derbit të Milanos, ishte edhe më spektakolarja nga të gjitha. Pas tre minutash lojë, një gjuajtje e furishme e Boateng “qethi” traversën, ndërsa El Sharaëy përfitoi nga një pasiguri e Chivus, për të kaluar në avantazh kuqezinjtë me një goditje të kryqëzuar brenda zonës.

Megjiithatë, dhjetë minuta më pas, në të 25’, kolumbiani Guarin barazpeshoi rezultatin, me një goditje me kokë në një asist të Palacios.

Me një Milan që i beson lojën më shumë nismave vetjake dhe një Inter që shfaqet më shumë ekip, ishin këta të fundit që triumfuan, me Palacion që pasi mposhti Acerbin në një duel, realizoi golin ventimar.

Suksesi në “Tim”, ndonëse simbolik, tregoi se Interi është në rrugën e duhur për të sfiduar epërsinë e Juventusit në kampionat, ndërsa ilustroi problemet e mëdha me të cilat përballet aktualisht Milani, në nevojë urgjente për të sjellë përforcime në klub.

SHPËRNDAJE