Fitorja në ndeshjen e parë e Bayernit si udhëtues me rezultat 1:0 aspak nuk u ka bërë punë, pasi humbja si vendase me rezultat 3:2 ka qenë fatale, në ndeshjen e kthimit të të tetës së finales së Champions League. Bayernit i ka kushtuar shtrenjtë humbja e shumë rasteve në pjesën e parë. Kampioni i Evropës, Interi, në çastet e fundit e ka siguruar fitoren e madhe në Allianz Arena me rezultat 3:2, duke eliminuar Bayernin nga garat e Champions League në futboll.

Në futboll është një ligj i pashkruar, kur nuk shënon, pason ndëshkimi. Kjo i ndodhi Bayernit. Bayerni ka treguar lojë të fuqishme në pjesën e parë dhe gjithnjë veprimet e tyre kanë rrjedhur nëpërmjet holandezit Arjen Robben, ndërsa në pjesën e dytë Interi ka shfaqur lojë shumë më të mirë dhe si rezultat i kësaj kanë arritur edhe triumfin. Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë tejet interesante, me veprime të rrjedhshme e të shpejta nga të dyja palët.

SHPËRNDAJE