Instituti Albanologjik promovoi botimet vjetore 2010

 

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja mori pjesë në promovimin vjetor të veprimtarisë botuese të Institutit Albanologjik. Gjatë vitit 2010 ky institut ka botuar 40 vëllime përfshirë këtu edhe kompletin e veprave të akademikut Rexhep Qosja, të financuar nga MASHT-i.

Në fjalën e rastit, ministri Buja u shpreh i gëzuar për faktin që Instituti Albanologjik po promovon sot kapitalin shkencor të një viti, dhe u shpreh i inkurajuar me numrin e vëllimeve shkencore që ka publikuar ky institut, e që ministri u shpreh i sigurt që kjo është vlerë.

Ministri Buja theksoi se mbështetja do të jetë edhe më e madhe për Institutin “sepse ky institucion, këta njerëz që kanë ditur të bëjnë shkencë të mirëfilltë albanologjike, ka dhënë kontributin e vet që të vijmë në ditën ku jemi sot”.

Ministri përmendi edhe kontributin inspirues të Institutit Albanologjik dhe të UP-së në frymën kombëtare të gjeneratave të reja, të cilat më vonë do të bëheshin bartës të luftës për çlirimin e Kosovës. “Kjo frymë promovuese është pikërisht në datën kur ndihma ndërkombëtare për herë të parë erdhi për Kosovën dhe shqiptarët në përmasat çfarë u realizua”, tha ministri.

Kjo punë tepër voluminoze që është bërë, tha ministri Buja, na jep përshtypjen se jemi nisur, kemi ecur dhe dimë ku shkojmë, natyrisht duke i çmuar vlerat tona, sepse jemi shumë të sigurt se nuk mund të shkojmë në Evropë e askund nëse nuk dimë të çmojmë vlerat tona. “Në Evropë pranohemi si shqiptarë, pranohemi me identitetin tonë, prandaj ju jeni ata që e keni dhënë kontributin më të çmuar”, tha ministri Buja para punonjësve shkencorë të Institutit Albanologjik .

Ministri Buja, gjatë ditës së sotme mori pjesë edhe në fillimet e punimeve të punëtorisë njëditore konsultative mbi Sigurinë e Cilësisë në Arsimin dhe Aftësimin Profesional në Kosovë, të organizuar nga Këshilli Britanik me seli në Prishtinë dhe Autoriteti Kombëtar për Kualifikime.

Me këtë rast, ministri Buja theksoi se Autoriteti i Kombëtar i Cilësisë ka bërë një punë serioze dhe të shkëlqyeshme. “Uroj që kjo të vazhdojë dhe të avancohet edhe më shumë në të ardhmen . Synimi ynë në këtë mandat qeverisës do të jetë po kështu cilësia , pra kjo do të jetë synim dhe goditje e përqendruar për të realizuar cilësi në të gjitha nivelet e arsimit”.

Ministri Buja vlerësoi lartë edhe angazhimin dhe ndihmesën e Këshillit Britanik në akreditimin e programeve dhe të institucioneve arsimore që gjithsesi determinon edhe në sigurimin e cilësisë dhe shtoi se kjo ndihmesë është mjaft domethënëse për të ardhmen e arsimit modern në Kosovë .

Ministri Buja, sot, ka zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë , me të cilët bisedoi për aspekte të implementimit të Programit IDEP, të cilin e mbështet financiarisht BB.

IDEP është program i cili kryesisht përqendrohet në implementim të strategjive zhvillimore të Arsimit Parauniversitar dhe të Arsimit të Lartë, me fokus përmirësimin e cilësisë në arsim.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni