Ende pa filluar fushata zgjedhore janë ngritur tensionet në Maqedoni, por kësaj radhe në mesin e partive politike maqedonase, të cilat kanë denoncuar demolimin e disa shtabeve partiake. Incidentet janë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila po punon për zbardhjen e tyre. Analistët thonë se fushata zgjedhore do të jetë e tendosur, por kanë vlerësime të ndryshme sa i përket shtrirjes së tyre.

Dy javë e gjysmë para fillimit të fushatës zgjedhore kanë filluar demolimet e shtabeve zgjedhore të partive politike, por, për dallim nga e kaluara, kur demoloheshin shtabet e partive shqiptare, kësaj radhe incidentet kanë nisur te partitë politike maqedonase.

Lidhja Socialdemokrate, Partia “Të Bashkuar për Maqedoninë” e ish-ministrit të Brendshëm, Lubo Boshkovski, dhe VMRO-DPMNE-ja kanë raportuar për demolimin e tetë shtabeve zgjedhore, kryesisht në rajonin e Shkupit.

Derisa partia në pushtet nuk ka komentuar incidentet e tilla, në reagimet e partive opozitare thuhet se ato bëhen me qëllim të frikësimit të qytetarëve për të mos dalë në votime.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e incidenteve dhe kapjen e autorëve të tyre.

“Menjëherë pas denoncimit të rasteve, MPB-ja ka ndërmarrë masat e duhura për identifikimin e autorit apo të autorëve të këtyre incidenteve, pasi bëhet fjalë për tetë shtabe të tri partive politike”.

“Sa u përket dëmeve, më duhet të theksoj se në bazë të paraqitjes së rasteve, bëhet fjalë kryesisht për thyerjen e xhamave të objekteve ku janë vendosur shtabet partiake”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Duke komentuar incidentet, ish-deputeti Ismet Ramadani tha se ato janë të pritshme, në veçanti në bllokun politik maqedonas, për shkak të uljes së dallimit mbi popullaritetin e tyre, bazuar në anketat e ndryshme që janë publikuar.

“Kësaj radhe, për herë të parë pra, më shumë incidente dhe probleme do të paraqiten në bllokun politik maqedonas, për faktin se partitë që janë në pushtet, me çdo kusht tentojnë apo duan ta ruajnë këtë pushtet që e kanë”, tha Ramadani.

Sipas tij, incidentet në bllokun shqiptar do të jenë më të vogla, për faktin e konkurrencës më të madhe dhe aplikimit të, siç tha, metodës së injorimit të kritikave të të tjerëve nga ana e partisë shqiptare në pushtet.

“Është interesant se Bashkimi Demokratik për Integrim ka ndërtuar një metodologji, që me heshtje dhe mospërfillje t’i durojë kritikat. Unë mendoj se në bllokun politik shqiptar do të ketë më pak incidente, edhe pse retorika do të ketë edhe elemente të një kulture të ulët politike”, u shpreh Ramadani.

Analisti Zhidas Daskallovski tha se do të ketë tensione, porse është e vështirë të parashikohet rrjedha e fushatës.

“Është e qartë se do të ketë duele të ashpra verbale apo tentime për t’i veshur njëra-tjetrës afera të ndryshme. Mendoj se është e vështirë të parashikohet nëse ajo që ka ndodhur së fundi, do të përsëritet edhe gjatë fushatës zgjedhore”.

“Mendoj se më së miri do të ishte që rastet e tilla të mos përsëriten, pasi askush nuk dëshiron që në Maqedoni të ketë zgjedhje të përcjella me incidente”, tha Daskallovski, duke mos bërë ndonjë paralele në blloqet politike sa u përket incidenteve të mundshme.

SHPËRNDAJE