INA RAMA për “Presheva Jonë”: Qeveria na pengon për 21 Janarin

NEFAIL  MALIQI  në bisedë me znj. INA  RAMA

  Me kërkesë të qindra lexuesve kryesisht nga Shqipëria…po e ribotojmë intervistën me  kryeprokurorën shqiptare znj.Ina Rama, dhënë ditë më parë agjencisë informative kombëtare “Presheva Jonë”


EKSKLUZIVE: Duke folur për « shtëpinë e verdhë » në Shqipëri, kryeprokurorja shqiptare Ina Rama në intervistën ekskluzive për agjencinë informative « Presheva Jonë » ka deklaruar se « Kjo është një çështje për të cilën prokuroria nuk ka bërë hetime, por verifikime. Rreth kësaj që flasin disa qarqe, nuk na kanë rezultuar rezultate për të na bindur apo për të nisur një hetim. Por, në bazë të informacioneve që posedoj unë, kjo çështje duket se do të hetohet gjithsesi, dhe këtë do t’ia lë atij grupi që do t’u prijë këtyre hetime për ato dyshime dhe fjalët që janë përhapur rreth asaj “shtëpie të verdhë”, për çka edhe ne jemi të interesuar për të zbardhur atë rast, dhe padyshim do të ishte edhe në interes të vendit tonë ashtu edhe të vetë Kosovës… »

Gjenevë/UNO-AIK-Presheva Jonë

Kryeprokurorja Ina Rama kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, ku katër persona u vranë para godinës kryeministrore, gjatë një demonstrate. Në një intervistë ekskluzive për agjencinë informative kombëtare « Presheva Jonë » dhe gazetën SHQIP zonja Rama pohon se për ngjarjen në fjalë po hetojnë intensivisht me qeverinë dhe institucionet përkatëse. “Për shkak të funksioneve, ata duhet të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe duhet të vënë shërbimin e tyre në funksion të hetimit dhe zbulimit të autorëve të 21 janarit. Përndryshe, nuk do të dihet rezultati i atij procesi eventual mbi shkaktarët apo autorët e atyre ngjarjeve”, – pohon Kryeprokurorja, duke vënë në dukje se një mungesë bashkëpunimi nga ana e qeverisë mund të sjellë që të mos zbardhen viktimat e 21 janarit. Pyetjes nëse do të dënohen autorët e mundshëm, zonja Rama i përgjigjet se ende është herët për të folur, pasi nuk ka filluar asnjë proces gjyqësor.

Një temë tjetër e prekur në interviste ka qenë edhe procesi “Meta-Prifti”, i cili po zhvillohet në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit ka “ligjëruar” tre ekspertët shqiptarë që këqyrën videoregjistrimin, duke rrëzuar prokurorinë. Kryeprokurorja thotë se qëndrimet e akuzës janë mbajtur në gjykatë. “Qëndrimin që ne kemi pasur e kemi formalizur në një kërkesë për dërgimin e tyre në gjykim, dhe ky është qëndrim i prokurorisë dhe po vazhdojmë të mbështesim akuzën në proces”, – vijon Kryeprokurorja, duke shtuar se, është gjykata ajo që ndërmerr vendime definitive në këto raste.

Numri një i akuzës shqiptare ka folur edhe për ngjarjet kriminale të kohëve të fundit, ekzekutimi i gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ngjarjen ku humbi jetën një nga krerët e SHIK-ut të Durrësit, Isa Çopa si dhe vrasjet e ndryshme. Rama ka pohuar se këto ngjarje “janë goditje kriminale dhe shumë të rënda”. Në intervistë tregohet edhe bashkëpunimi i Prokurorisë shqiptare dhe asaj kosovare.

Presheva Jonë : Zonja Kryeprokurore, ç’mendoni dhe si e konsideroni vazhdimin e mëtejshëm të procesit “Meta-Prifti”, pas vendimit të gjykatës për ekspertizën e 3 ekspertëve shqiptarë?

INA RAMA: Nuk është çështje mendimi, por qëndrimin që ne kemi pasur, e kemi formalizuar në një kërkesë për dërgimin e tyre në gjykim, dhe ky është qëndrim i prokurorisë dhe po vazhdojmë të mbështesim akuzën në proces. Kuptohet, se gjykata është ajo që ndërmerr vendime definitive në kësi rastesh.

Presheva Jonë :  Kohët e fundit ka pasur një vrull të madh goditjesh të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe individëve, siç ishte ai ndaj gjyqtarit Konomi, punonjësit të SHISH-it në Durrës etj. Si po shkojnë hetimet për këto ngjarje?

INA RAMA: Nuk mund të themi ende se janë krim i organizuar. Sigurisht, janë goditje kriminale, dhe shumë të rënda. Mund t’ju them se ne kemi angazhimin maksimal me Policinë e Shtetit për t’i zbardhur këto ngjarje, për t’i vënë autorët para përgjegjësisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i jepet çmimi i merituar krimit.

Presheva Jonë : Keni pasur prej kohësh një marrëdhënie të akullt, madje konfliktuale me qeverinë, mazhorancën dhe vetë kryeministrin Berisha, i cili ju ka fyer rëndë pas ngjarjeve të 21 janarit. Si janë aktualisht këto marrëdhënie?

INA RAMA: Siç e dini, 21 janari është ende nën procesin e hetuesisë dhe në këtë drejtim ne ende jemi duke punuar intensivisht për të zbardhur rastin me qeverinë dhe gjithë institucionet tona përkatëse. Për shkak të funksioneve, ata duhet të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe duhet të vënë shërbimin e tyre në funksion të hetimit dhe zbulimit të autorëve të 21 janarit. Përndryshe, nuk do të dihet rezultati i atij procesi eventual mbi shkaktarët apo autorët e atyre ngjarjeve.

Presheva Jonë : A do të ketë fajtorë dhe a do të dërgohen para drejtësisë vrasësit e katër personave në shesh, në protestën e 21 janarit?

INA RAMA: Se a do të ketë fajtorë apo do të dënohet ndokush, nuk mund të themi për momentin asgjë, përderisa nuk ka filluar ndonjë proces apo gjykim.

Presheva Jonë : Tani kur Kosova është shtet i ri në Europë, sigurisht bashkëpunoni me institucionet e saj, respektivisht me ato të drejtësisë apo me EULEX-in. Ky bashkëpunim, a paraqitet në nivelin e duhur sipas jush zonja Kryeprokurore?

INA RAMA: Po, natyrisht, si vende fqinje, sikur me institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu edhe me ndërkombëtarët atje, kemi një bashkëpunim të mirë. Me institucionet e Kosovës, në këtë rast me kolegët tanë, prokurorët kosovarë, kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Gjejmë mënyra dhe gjuhë të përbashkët për të shkëmbyer informacione në favor të luftës kundër krimit të organizuar dhe zbardhjeve të një sërë rastesh që kanë të bëjnë me këto dukuri. Për sa i përket misionit të EULEX-it, po ashtu me ta, kemi bashkëpunim të atij niveli që e mundësojnë konventat ndërkombëtare në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale me marrëdhëniet me jashtë. Pra, ky është bashkëpunim me EULEX-in, duke mos harruar se ky mision është një institucion europian për llogari të drejtësisë në shtetin e Kosovës, që është një moment të cilin ne e vlerësojmë në mënyrë të veçantë.

Presheva Jonë : Ka disa raporte në Kombet e Bashkuara në Gjenevë apo qoftë edhe në Bruksel, ku thuhet se Shqipëria shfrytëzohet për transit apo si nyje e trafiqeve apo strehimit të grupeve kriminale. Megjithëse nga një bisedë me shefin e Interpolit ka fjalë të mira për Shqipërinë. Si i vlerësoni ju këto raporte dhe cili është vlerësimi juaj si Prokurore e Përgjithshme e Shqipërisë?

INA RAMA: Edhe unë jam dakord, sepse e dinë më mirë kompetentët e drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Interpolit, se sa ndonjë raport apo medium që nuk e ka në qejf vendin tonë. Vendi ynë dhe sikundër edhe Kosova, nuk është “vrimë e zezë” në Europë. Madje, ne jemi bërë partner i barabartë dhe i fuqishëm me vendet botërore dhe organizatat ndërkombëtare në luftën tonë kundër trafiqeve apo kontrabandës së të gjitha llojeve. Fundja, ne kemi informacionet dhe më së miri e dimë që ne nuk kemi ndonjë hetim të tillë për ta konsideruar Shqipërinë aktualisht ndonjë “vrimë të zezë”.

Presheva Jonë : Në një diskutim, shefi i diplomacisë serbe në Gjenevë, zoti Jeremiç, e implikoi edhe Shqipërinë rreth “trafiqeve të organeve”. Cila është përgjigjja juaj? Ekziston apo jo “shtëpia e verdhë” apo është thjesht një temë e mediave?

INA RAMA: Kjo është një çështje për të cilën prokuroria nuk ka bërë hetime, por verifikime. Rreth kësaj që flasin disa qarqe, nuk na kanë rezultuar rezultate për të na bindur apo për të nisur një hetim. Por, në bazë të informacioneve që posedoj unë, kjo çështje duket se do të hetohet gjithsesi, dhe këtë do t’ia lë atij grupi që do t’u prijë këtyre hetime për ato dyshime dhe fjalët që janë përhapur rreth asaj “shtëpie të verdhë”, për çka edhe ne jemi të interesuar për të zbardhur atë rast, dhe padyshim do të ishte edhe në interes të vendit tonë ashtu edhe të vetë Kosovës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni