Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO), do të publikojë nesër një raport rreth situatës në veri dhe zbatimit të Pakos së Ahtisarit në këtë pjesë.

Burime të Radio Kosovës kanë shpjeguar se përkundër situatës në veri, rezultatet e anketës së ICO me banorët në terren kanë treguar se përmbajtja e Pakos së Ahtisarit është megjithatë e pranueshme për shumicën e banorëve serbë në këtë pjesë.

Mbikëqyrësi i Pavarësisë së Kosovës, Zyra Civile Ndërkombëtare nuk po pajtohet me faktin se zbatimi i Pakos së Ahtisarit në veri ka dështuar plotësisht.

Në muajt e fundit të përmbylljes së misionit të saj në Kosovë ICO konsideron se shumica e obligimeve të dala nga Pakoja e Ahtisarit janë kryer me sukses.

Këtë gjë pretendon ta argumentoj edhe një raport i saj që do të publikohet nesër, i cili tregon disponimin e banorëve serbë të veriut të Kosovës ndaj Planit Gjithëpërfshirës.

Zëdhënësi i ICO-së, Christian Plame, nuk ka dhënë detaje rreth raportit, ai vetëm ka thënë se rezultatet e tij rreth disponimit të banorëve serbë për Pakon e Ahtsiasrit do të publikohen nesër.

Mësohet se raporti ka nxjerr në pah se pavarësisht refuzimit të politikanëve dhe liderëve serbë për të pranuar autoritetin e Prishtinës, përmbajtja e Pakos së Ahtisrarit është e pranueshme për shumë serbë në veri.

Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën në mbledhjen e fundit ka shprehur gatishmërinë që deri në fund të këtij viti, të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Ky grup ka shprehur brengën se zbatimi i Pakos së Ahtisarit në veri megjithatë ka ngecur.

SHPËRNDAJE