Një ngjarje e pazakonte ka ndodhur në futbollin spanjoll në javën e 5 të La Ligas. Takimi Rajo Vajekano – Real Madirid nuk u zhvillua për shkak të problemeve në sistemin e ndricimit në stadiumin Vajekas. Në fakt nuk bëhet fjalë për një problem teknik, që do të ishte lehtësisht I zgjidhshëm, por për një veprim sabotazhi, për të mos lejuar me qëllim zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Rreth orës 20:00, kur punonjësit e stadiumit të Vajekas tentuan të ndiznin dritat, u kuptua që bëhej fjalë për një problem të rëndë: Ishin prerë kabllot që furnizonin projektorët e ndricimit.

Në kushte të tilla nuk u lejuan të futeshin në stadium tifozët e shumtë që kishin prerë biletat për këtë përballje derbi, pasi Vajekas është një lagje në periferi të Madridit. Ndërkohë që 500 tifozët e Realit ishin akomoduar rreth dy orë më parë në shkallët e stadiumit, mbi 14 mijë tifozë të skuadrës vendase kanë pritur me ankth jashtë impiantit modest me shpresë së dyert do të hapeshin. Gjyqtari i ndeshjes dha ultimatum për rregullimin e problemit brenda orës 22:00, por pasi kjo nuk u arrit u vendos shtyrja e këtij takimi për të hënën në orën 21:30. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë pritet të ndërmerret një hetim i thellë për të gjetur përgjegjësit e këtij sabotazhi.

SHPËRNDAJE