RESTELICË: U jepet lamtumira e fundit 9 viktimave

Pasdite është bërë varrimi i nëntë viktimave të tragjedisë që goditi Restelicën. Kurse, po vazhdon operacioni i Forcës së Sigurisë, në kërkim të personit të njëmbëdhjetë të familjes Reka, që dyshohet se gjendet nën gërmadhat e shkaktuara nga orteku i së shtunës.

Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë duke vazhduar edhe operacionin në fshatin Restelicë të Dragashit, në kërkim të personit të fundit që dyshohet se gjendet nën gërmadhat e shkaktuara nga orteku i së shtunës. Kështu konfirmon komandanti i operacioneve të kërkim shpëtimit në FSK, Mehmet Lladrovci i cili thotë se janë bërë gërmime shumë të mëdha dhe se operacioni do të vazhdoj deri në gjetjen e personit të fundit.

Lladrovci thekson se moti është i përshtatshëm dhe ekipet janë duke vazhduar kërkimin e viktimës së dhjetë të kësaj tragjedie, që është një djalë 20 vjeç i familjes Reka.

Ndërkohë varrimi i nëntë viktimave të tragjedisë që goditi këtë fshat është bërë sot pasdite, ka konfirmuar Lladrovci.

Për shkak të rrezikut që mund t’iu kanoset, shumë banorë të zonave ku është shfaqur orteku, janë zhvendosur në brendi të fshatit, ku janë më të sigurt, ka deklaruar, koordinatori i ekipit për shpëtim në fshatin Restelicë, imami Shaban Haxhi.

Në nderim të viktimave të tragjedisë së të shtunës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e sotme ditë zie shtetërore.

Ndërkaq presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ngushëlluan Kosovën dhe familjet e viktimave të ortekut në Restelicë të Dragashit. (RTK)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni