“Shqiptarët në këtë mandat kanë marrë më shumë poste se sa në marrëveshjen e vitit 2010 të nënshkruar nga: Milan Markoviqi, Riza Halimi, Jonuz Musliu dhe Mejdi Zeqiri , kurse tani poste shqiptare janë: Kryetari i komunës, Kryetari i kuvendit, Kryeshefi i administratës, Sekretari i kuvendit, që përbëjnë shtyllën e pushtetit të një komune, ndërsa në ndërmarrje publike drejtorë shqiptarë janë: në Drejtorinë për ndërtim, Komunalia, Shtëpia e Kulturës, Televizioni, Qendra për punë sociale, Barnatorja e qytetit, Agjencioni turistik, ku nga kjo rezulton që 70% të posteve janë të udhëhequra nga shqiptarët, dhe çka është më me rëndësi marrëveshja e koalicionit tonë është nënshkruar në Bujanoc në gjuhën shqipe dhe jo në Beograd”, deklaron kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit Hajredin Hyda në intervistën ekskluzive dhënë agjencisë informative kombëtare  “Presheva jonë”

 

 

 

Bujanoc,29 gusht

 

Presheva Jonë: Për fillim të bisedës,z. kryetar, si e vlerëson punën e Kuvendit Komunal që nga udhëheqja e Juaj me pushtetin lokal në Bujanoc ?

 

HYDA:  Që nga 8 qershori kur u konstituua përbëja e re e Kuvendit komunal të Bujanocit, kur edhe u zgjodha në këtë detyrë, kemi mbajtur katër seanca në të cilat janë aprovuar mbi 160 pika, është bërë zgjedhja e gjitha këshillave drejtuese të ndërmarrjeve publike si dhe është bërë zgjedhja e drejtorëve të ri të këtyre ndërmarrjeve, por janë realizuar edhe pika tjera të rëndësishme me çka rezulton se puna e Kuvendit Komunal është mjaft e suksesshme.

 

 

QEVERISJA NË BUJANOC,  MË SHKËLQYESHME ME PUSHTETIN LOKAL

 

Presheva Jonë: Si e vlerësoni situatën politike në Bujanoc pas të gjitha këtyre akuzave që ju bëhen nga opozita,konkretisht nga partitë shqiptare opozitare….Pse veprojnë ashtu,kur dihet se në një mënyrë ata nuk kanë dashur të formojnë koalicion me partinë Tuaj PD ?

 

HYDA: Të gjitha akuzat e opozitës, konkretisht asaj shqiptare, i kuptoj si përpjekje të tyre në shumicën e rasteve të pavenda, të pavërteta dhe tendencioze me qëllim të vetëm, pengimin e funksionimit normal të pushtetit aktual, i cili e ka marrë seriozisht punën që Komunën ta vendosë në binarë nga i cili kishte dalë në 4 vitet e fundit, dhe veprimet e tyre i kuptoj si tendencë për të penguar zbardhjen e të gjitha marifetllëqeve, aferat korruptive, angazhimin e simpatizantëve të tyre nëpër ndërmarrjet publike, vjedhjet e tyre dhe nga kjo mund te konkludoj se ata nuk kanë guxuar që të hyjnë me ne në koalicion, sepse ishin dashur më vonë që të gjitha këto veprime vetë t’i zbulonin.

 

 

Po akuzat që u bëhen Juve  që keni bërë koalicion me partitë serbe,si i komentoni?

 

HYDA: Është një thënie e mrekullueshme popullore ku thuhet: “Dhelpra kur nuk ka arritur të mbërrijë rrushin, ka thënë se është i thartë”, çka do të thotë se ata 3 javë pandërprerë janë munduar ta bëjnë koalicionin po me këta serbë, por edhe ata nuk kanë dashur që të hyjnë në pushtet më këto parti të korruptuara, prandaj akuzat e tyre janë tregime për fëmijë parashkollor.

 

 

NE BUJANOC 70 PER QIND TE INSTUCIONEVE NE DORE I KANE SHQIPTARET

Presheva Jonë: Sa poste udhëheqëse kanë marrë shqiptarët në komunën e Bujanocit ?

 

HYDA: Shqiptarët në këtë mandat kanë marrë më shumë poste se sa në marrëveshjen e vitit 2010 të nënshkruar nga: Milan Markoviqi, Riza Halimi, Jonuz Musliu dhe Mejdi Zeqiri, kurse tani poste shqiptare janë: Kryetari i komunës, Kryetari i kuvendit, Kryeshefi i administratës, Sekretari i kuvendit, që përbëjnë shtyllën e pushtetit të një komune, ndërsa në ndërmarrje publike drejtorë shqiptarë janë: në Drejtorinë për ndërtim, Komunalia, Shtëpia e Kulturës, Televizioni, Qendra për punë sociale, Barnatorja e qytetit, Agjencioni turistik, ku nga kjo rezulton që 70% të posteve janë të udhëhequra nga shqiptarët, dhe çka është më me rëndësi marrëveshja e koalicionit tonë është nënshkruar në Bujanoc në gjuhën shqipe dhe jo në Beograd.

 

 

 

Presheva Jonë:  Si i përgjigjeni akuzave për “largim “nga puna të kuadrove shqiptare me ardhjen Tuaj në pushtet që akuzohen nga të pakënaqurit – shqiptarët opozitarë?

 

HYDA: As edhe një shqiptar i vetëm që ka pasur marrëdhënie pune të përhershme nuk është larguar nga puna, ndërkaq aluzionet e tyre se po largohen kuadro nuk arrijë t’i kuptoj sepse nuk e kam hetuar asnjë “kuadër” nga radhët e tyre, por vetëm “partizanë” që i kanë angazhuar me kontrata për t’i stërmbushur zyrët dhe korridoret e komunës, gjithashtu dhe të ndërmarrjeve publike.

 

 

 Presheva Jonë: Sa do të arrij deputeti i PVD-së në parlamentin serb për ta shkatërruar qeverisjen lokale në Bujanoc ?

 

HYDA: Deputeti i legalizuar” në Kurshumli dhe Beograd ka një qëllim të vetëm që të luftoj pushtetin në Bujanoc pasi që në Preshevë iu kanë shterur resurset dhe përpjekjet e tija në Beograd dhe në Vranjë do të mbeten definitivisht të shterrpta sepse pushteti formohet me vota të popullit e jo me paramilitarë të Kurshumlisë.

 

 

Presheva Jonë: Diç të shtoni që nuk ju kam pyetur e që ju e vlerësoni se është e rëndësishme për ta cekur ?

 

HYDA: Të gjithë ata që brengosen me vend dhe pavend, e që parashikojnë veprimet tona apo që prognozojnë data të ndryshme për shpërbërjen e këtij pushteti, iI kisha sugjeruar që pasi kanë filluar kampionatet e ligave evropiane të futbollit, do të kishte qenë mirë t’i frekuentojnë sa më shume bastoret sportive në mënyrë që të qëllojnë ndonjë bast të mundshëm, ngase për shpërbërjen e koalicionit tonë qeverisës koeficienti është 1.00 ,deklaroi në fund të intervistës ekskluzive kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit hajredin Hyda.

Avni Jusufi

SHPËRNDAJE