Presidenti i Hungarisë, Pal Shmit, ka thënë gjatë një takimi që pati të mërkurën në Budapest me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, se vendi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahës i të gjitha proceseve në Kosovë dhe do ta ndihmojë në rrugën e saj përpara drejt integrimeve evropiane.

Shmit ka thënë se Hungaria mbështet vazhdimin e procesit të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, si alternativa e vetme për vendet e këtij rajoni, ndërsa sipas tij ky proces do të përmbyllet pasi të jenë plotësuar kushtet nga këto vende.

Ai tha se është i përkushtuar që të ndihmojë në lobimin për Kosovën tek vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë, veçanërisht tek dy fqinjët e Hungarisë, Sllovakia dhe Rumania, të cilat kanë komunitet hungarez në vendet e tyre, dhe që kjo është një nga arsyet pse këto dy vende ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Për më tepër, presidenti Shmit ka thënë se Hungaria do të hapë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare, si dhe do të ndihmojë që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë të mira dhe theksoi nevojën e thellimit të tyre në fushën politike dhe ekonomike. Ajo tha se Hungaria e ka kaluar rrugën e anëtarësimit në BE dhe përvoja e saj do të shërbejë për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

Presidentja Jahjaga përsëriti edhe një herë se Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, pasi kjo do të qartësonte rrugën evropiane të saj me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ajo theksoi se anëtarësimi i plotë i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, në BE do të garantonte stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Të dy presidentët kanë diskutuar edhe për një varg çështjesh të tjera që janë me interes për të dyja vendet.

SHPËRNDAJE