Dhjetra mijë fëmijë kanë vuajtur nga abuzimi seksual në institucionet katolike të Holandës, nga viti 1945 deri më sot, thuhet në një raport të komisionit të pavarur ngritur për hetimin e dukurisë. Në këtë raport thuhet se funksionarët katolikë nuk e luftuan abuzimin e përhapur në shkolla, seminare dhe jetimore.

Raporti zbulon gjithashtu se një në pesë fëmijë që ka qenë pjesë e një institucioni ka vuajtur nga abuzimi, pavarësisht nëse ishte katolik.

Komisioni, i cili filloi punën në gusht 2010, kërkoi të zbulojë se çfarë kishte ndodhur me këto viktima. Nga 1800 ankesa për abuzim në institucionet katolike, u identifikuan rreth 800 autorë 100 prej të cilëve janë ende gjallë.

Bert Smeets, një prej viktimave të abuzimit të cilët morën pjesë në prezantimin e raportit, tha se nuk është thënë gjithë çka ka ndodhur në atë kohë. “Ajo që po ndodhte ishte abuzim seksual, dhunë, terror shpirtëror dhe duhej hetuar,” tha Smeets për agjencinë AFP.

“Çdo gjë mund të ketë ndodhur, por askush nuk e di saktësisht se çfarë dhe nga kush. Në këtë mënyrë, ata i shmangen përgjegjësisë.”, shtoi Smeets.

“Kjo ngjarje na mbush me turp dhe pikëllim,” thuhet në një deklaratë të peshkopëve të kishës katolike në Holandë.

Komisioni zhvilloi një anketë në shkallë më të gjerë, në më shumë se 34 000 njerëz për të pasur një pamje më të gjerë të shkallës dhe të natyrës së abuzimit ndaj të miturve në Holandë.

Komisioni ka vënë në dukje se “…problemi i abuzimit seksual ishte evidentuar në urdhërat e dioqezës së Kishës katolike holandeze, por më pas nuk është ndërmarrë asnjë veprim.”

Në raportin e komisionit thuhet gjithashtu se abuzimi seksual i të miturve është i përhapur në shoqërinë holandeze.

SHPËRNDAJE