Futbollistët me ngjyrë të kombëtares holandeze u vendosën në shënjestërn e sulmeve raciste gjatë stërvitjes së skuadrës në stadiumin e qytetit të Krakovit, pranë të cilit “tulipanët” kanë qendrën ku janë grumbulluar.

Kapiteni i Holandës, Mark van Bommel ishte ai që reagoi për shtyp ditën e premte, duke i konsideruar imitimin e majmunëve kur shokët me ngjyrë preknin topin si një “turp të vërtetë”.

”Të gjithë ata që mbyllin veshët dhe bëjnë sikur nuk i dëgjuan ato thirrje, reagojnë edhe më keq se ata pak njerëz të padenjë për t’u quajtur njerëz. Këto thirrje raciste janë gjëja e fundit për të cilën UEFA ka nevojë vetëm pak orë përpara fillimit të Europianit, por do të ishte më keq nëse ajo thjesht do të heshtë, në vend që të dënojë fuqimisht këtë ngjarje. Lufta ndaj racizmit është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë kompeticioni”, deklaroi Van Bommel, sipas së përditshmes polake “Wiadomosci”.

Një zyrtar i UEFA-s pranoi se një incident kishte ndodhur, por theksoi se ai lidhej me pakënaqësinë e popullsisë vendase për moscaktimin e ndeshjeve për t’u luajtur në Krakovë.

Katër qytetet polake në të cilat do të luhen ndeshje janë Varshava, Vroclaci, Gdansku dhe Poznani. Sipas mediave, ishin rreth 500 tifozët që realizuan thirrjet raciste.

Pak ditë më parë, kombëtarja e Holandës zhvilloi homazhe në kampin nazist të Aushvicit, ku disa milionë persona, midis të cilëve më shumë se 1,2 milionë hebrenj, u asgjesuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Aktualisht, midis 23 futbollistëve të kombëtares holandeze, ata me prejardhje joholandeze janë shtatë, Van der Wiel, Bouma, Bouhlarouz, Willems, De Jong, Afellay dhe Narsingh.

Lista e futbollistëve holandezë të grumbulluar në Euro 2012

Portierë: Stekelenburg (Roma), Vorm (Suonsi), Krul (Njukasëll)
Mbrojtës: Van der Wiel (Ajaks), Heitinga (Everton), Mathijsen (Malaga), Bouma, Willems (PSV Eindhoven), Vlaar (Feyenord), Boulahrouz (Stuttgart)
Mesfushorë: Van Bommel (PSV Eindhoven), De Jong (Manchester City), Sneijder (Inter), Robben (Bayern Munchen), Schaars (Sporting Lisbon), Strootman (PSV Eindhoven), Afellay (Barcelona), Van der Vaart (Tottenham)
Sulmues: Kuyt (Fenerbahce), Huntelaar (Schalke 04), Van Persie (Arsenal), De Jong (Twente), Narsingh (Herenveen)

SHPËRNDAJE