“I ashtuquajturi historian shqiptar, Jusuf Buxhovi para ca kohësh botoi në Prishtinë librin ‘Historia e Kosovës’, e cila jo vetëm që nuk ka kurrfarë baze shkencore, por në tërësi i anashkalon serbët, kurse Kosovën e përshkruan si ‘qendër shpirtërore, kulturore dhe shtetërore të Shqipërisë’. Ai madje shkon aq larg sa pohon që shqiptarë e jo grekët janë themelues të Trojës dhe shkrues të Iliadës”, shkruajnë mediet serbe duke reaguar ndaj librit më të ri të Buxhovit.

“Mbi bazë të faktografisë shkencore, Buxhovi konludon se nuk ka pasur Serbi shtet mesjetar serb e as Kishë Ortodokse Serbe, por vetëm krahina, që në histori janë të njohura si okupuese dhe kundër etnikumit shqiptar”, ka shkruar gazetari prishtinas Esad Dujaka për këtë libër.

Sllavenko Terziq, këshilltar shkencor i Institutit të historisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, pohon se fjala është për “dhunim të paparë e të pashembullt ndaj fakteve historike dhe arsyes së shëndoshë”.

“Bëhet fjalë për një fantazi shumë të rrezikshme në shërbim të Shqipërisë së madhe etnike. Libri nuk meriton kurrfarë vëmendje shkencore, sepse fjala është për pamflet. Ai libër ashiqare duhet t’iu shërbejnë politikanëve si pseudoargument ër krijimin e ‘Shqipërisë natyrale’. Është krejtësisht e pakuptimtë teza për Kosovën si qendër shpirtërore, kulturore e shtetërore të Shqipërisë”, tha Terziq në reagimin e tij për mediet serbe. 0

Ndërkaq, sipas Milla Bjelajac, këshilltare shkencore për historinë e re serbe, “nuk ia vlen të shpenzosh fjalë për një vepër të pavlerë në kuptimin shkencor”.

Sipas saj, “ky libër i dedikohet thellimit të mosmarrëveshjeve në Ballkan dhe helmimit të gjeneratave të reja”. (koha.net)

SHPËRNDAJE