Gonzalo Higuain dëshiron largimin nga Reali i Madridit. Është vetë babai i futbollistit argjentinas që e ka deklaruar një gjë të tillë në një intervistë për të përditshmen italiane ‘Tuttosport’ duke thënë ndër të tjerat se ai është i hapur të nisë bisedimet me Juventusin për transferimin e 24-vjecarit në Torino.

‘Sezoni është në fazën më të rëndësishme të tij dhe Gonzalo është i fokusuar të fitojë kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampioneve. Por na pëlqen interesimi i Juventusit. Tani është shpejt për të folur për një kalim të mundshëm të lojtarit në Itali, por në maj do të jemi të gatshëm të nisim bisedimet me bardhezinjtë. Juventusi është një prej klubeve më prestigjozë në botë dhe cdo futbollisti do t’i pëlqente të luante për këtë skuadër”, tha babai i Higuain.

Por Higuain nuk është i vetmi sulmues që është vendosur në qendër të vëmendjes së drejtuesve të Zonjës së Vjetër. Robin van Persi, Damiao, Rosi dhe Falkao janë disa prej emrave të vendosura në listën e shpenzimeve të Beppe Marotas.

Ndërkohë, Juventusi duket se e ka bërë një blerje për sezonin e ardhshëm. Sipas medias britanike, bardhezinjtë kanë arritur një marrëveshje me Manchester United për të sjellë në Galileo Ferraris të riun Pogba.

SHPËRNDAJE