Haxhinasto: Shqipëria angazhohet për rritjen e njohjeve të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, me të cilën ka biseduar për forcimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, në funksion të rritjes së numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës.

Kryeministri Thaçi shprehu vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve kosovare për një politikë të jashtme proaktive, të koordinuar me miqtë e Kosovës, duke përmendur në mënyrë të veçantë rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbështetje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 

Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka falëmnderuar ministrin Haxhinasto dhe Qeverinë Shqiptare për kontributin e madh që i kanë dhënë Republikës së Kosovës në procesin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe afirmimit të të arriturave të shtetit të ri në botë.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edomond Haxhinasto e falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt dhe shprehu edhe njëherë gjithë gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare për thellimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve diplomatike me Qeverinë e Republikës së Kosovës, në funksion të shtimit të numrit të njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni