Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër, ka nisur një turne vizitash zyrtare në Singapor, Brunei dhe Tajlandë.

Kjo vizitë do t’i shërbejë zgjerimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me këto shtete, vendosjes së kontakteve midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni dhe inkurajimit të marrëdhënieve ekonomiko- tregtare, por edhe lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjatë takimeve me zyrtarët e këtyre vendeve, ministri Haxhinasto do të fokusohet në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik, për t`i vendosur marrëdhëniet e deritanishme me këto shtete në një stad të ri, si dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional me to.

Gjatë vizitave në Singapor, Brunei dhe Tajlandë, një vend të rëndësishëm do të zënë edhe bisedimet për forcimin e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe në organizatat ndërkombëtare.

 

Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, kur të tre vendet nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të ndalet në mundësitë e njohjes së saj nga këto vende, në zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke i njohur gjithashtu me kontributin konkret të shtetit të pavarur të Kosovës dhe institucionet e tij legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon.

SHPËRNDAJE