Haxhi (Robin) Krasniqi mbron titullin më 7 janar në Magdeburg të Gjermanisë

Haxhi Krasniqi është duke u përgatitur që të bëjë mbrojtjen e parë të titullit të Evropës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBO. Titullin e fituar më 21 tetor, Krasniqi do ta mbrojë më 7 janar në Magdeburg të Gjermanisë. Kundërshtar i 24-vjeçarit nga Juniku do të jetë algjeriani me pasaportë franceze, Hakim Zoulikha.

Meçi i Krasniqit do të jetë kryesori i mbrëmjes dhe ai është paraparë të zhvillohet në 12 raunde.

“Më presin edhe dy javë sparing, që është pjesë më e vështirë e stërvitjeve. Me sparing kam nisur para një jave. Kundërshtarë kam boksierë të njohur që më mundësojnë që në meç të paraqitem plotësisht i gatshëm. Javën tjetër sparing do të bëjë me kampionin e botës, Robert Stieglitz. Përballja me të më bën që në meç të futem me vetëbesim maksimal, por edhe i përgatitur në shkallën më të lartë”, ka thënë Haxhi Krasniqi të shtunën për Kohën Ditore.

Krasniqi, i cili në boksin profesionist njihet edhe me emrin Robin, në profesionalizëm ka 36 fitore e dy humbje. Titullin e Evropës në versionin WBO e fitoi kundër Abdelkahim Derghalit, të cilin e mposhti me nokaut teknik në raundin e katërt, më 21 tetor në Brandenburg. Krasniqi planifikon që pas disa mbrojtjeve të titullit të Evropës, gjatë vitit 2012 të luftojë për titull të botës në versionin WBO. Ai aktualisht vlerësohet boksieri më i mirë shqiptar.

Kundërshtari i tij, Hakim Zoulikha në boksin profesionist ka 16 fitore e dy humbje. Së fundi ka boksuar më 12 nëntor, kur e mposhti Boumejjane Anouarin me pikë, pas tetë raundeve. “Kam parë të xhiruar një meç të tij. Bëhet fjalë për një boksier me bilanc të mirë dhe që e njeh boksin. I takon nivelit të lartë. Nuk guxoj ta nënçmoj, duhet që në meç të paraqitem i koncentruar maksimalisht. Me përgatitjen që po bëj jam i bindur se do të fitoj dhe ngadalë do të nis rrugën për të luftuar për titull të botës”, ka shtuar Krasniqi.(Koha.net)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni