Kosova në 3-vjetorin e pavarësisë më 17 shkurt do të ketë institucionet e zgjedhjeve të para parlamentare të shtetit të ri, paralajmëroi Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.

“Ne do të punojmë maksimalisht që i gjithë ky proces të përmbyllet në një afat të rregullt kushtetues dhe ligjor, të respektohen të gjitha procedurat, certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe trevjetori i pavarësisë të gjejë Kosovën me institucione të reja legjitime”, theksoi ai.

Këtë deklaratë të transmetuar nga Televizioni i Kosovës, njoftohet se Thaçi e ka bërë pas një takimi mbrëmë në një restorant në periferi të Prishtinës me ambasadorin amerikan Christopher Dell, shefin e ICO-së, Pieter Feth, dhe me kreun e partisë serbe SLS, Slobodan Petroviç.

Ndërkaq ka nisur numërimi i më se 30 mijë votave me kusht pas votimit më 12 dhjetor te rivotimeve në pesë komuna më 9 janar dhe në Mitrovicë më 23 janar. Rezultati final zyrtar i zgjedhjeve pritet javën e ardhme dhe më pas edhe certifikimi nga KQZ.

Sipas llogarive bazuar në rezultatin paraprak të shpallur të hënën, në Parlamentin e ri të Kosovës me 120 vende, PDK do të këtë 35 deputetë, LDK 27, Vetëvendosje 13, AAK 12 dhe AKR 8. Pakicat kanë fituar 25 vende dhe më shumë se gjysma e tyre – 13, sipas subjekteve serbe, janë të deputetëve nga radhët e tyre.

Mes këtyre numrave, me mundësinë e ndryshimit të ndonjë shifre nga numërimi i votave me kusht, është matematika e koalicionit të ardhshëm qeverisës në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Thaçi, i emëruar edhe për një mandat nga partia e tij fituese e zgjedhjeve, PDK, ka paralajmëruar angazhimet “për një qeveri shumëpërfshirëse dhe gjithetnike, jo gjithëpërfshirëse”, menjëherë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

SHPËRNDAJE