Hashim Thaçi e Begjet Pacolli udhëheqin qeverinë e shtetit të Republikën e Kosovës

Hashim Thaçi , kryetar i PDK-së, njëherësh mandatari për formimin e qeverisë së re dhe Begjet Pacolli  kryetari i AKR-së, njëherësh kandidat për postin e presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli kanë nënshkruar marrëveshjen me të cilën zyrtarizohet koalicioni qeverisës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes Thaçi ka thënë se ky koalicion do të punojë për zhvillimin e Kosovës, ngritjen e mirëqenies sociale, ndërtimin e shoqërisë shumetnike, krijimin e vendeve të reja të punës, integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, liberalizimin e vizave. Ndërsa, Pacolli ka shprehur zotimin se do të punohet për një Kosovë dinjitoze.

Thaçi ka thënë se zyrtarizimi i marrëveshjes për koalicion vjen pas negociatave me AKR-në, ndërsa shprehur zotimin se koalicioni qeverisës do të punojë në të gjitha aspektet për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin e tij në BE dhe NATO.

“Sot PDK dhe Koalicioni për Kosovën e Re nënshkruan marrëveshjen e partneritetit, koalicionit për ndërtimin e institucioneve të reja shtetërore të Republikës së Kosovës, të presidentit, të qeverisë së re dhe ministrore, prandaj kjo marrëveshje, ky koalicion është një koalicion për Kosovën e re, për zhvillimin e Kosovës, për reformat demokratike, për ndërtimin e shoqërisë shumetnike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për Kosovën evropiane, për Kosovën në paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonale dhe perspektivë evropiane, për Kosovën që do të ndodhë liberalizimi i vizave, e gjithashtu për Kosovën për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.

Për më tepër, ai shfaqi zotimin se institucionet e reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Ai ndërkaq ka falënderuar Koalicionin për Kosovën e re për gatishmërinë e shprehur për ndërtimin e koalicionit qeverisës, duke thënë se do të punojnë bashkërisht si ekip shtetëror për implementimin e plotë të programit të qeverisë.

Kryetari i AKR-së dhe kandidat për postin e presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka shprehur zotimin se kjo parti do të punojë së bashku me PDK-në për interesat e shtetit dhe të qytetarëve të saj, në mënyrë që Kosova të jetë një vend dinjitoz dhe i integruar në rajon dhe Evropë.

“Kosova nuk mund të durojë më tepër luksin që të stagnojë çdo gjë. Ne këtu kemi forcën, energjinë, kemi diturinë dhe vullnetin shumë të madh për të vepruar. Që nga tani së bashku me PDK-në, bashkë me ekspertët e Koalicionit për një Kosovë të Re, bashkë me anëtarët e tjerë të koalicionit jemi betuar që të punojmë vetëm për interesat e qytetarit të Kosovës, për interesat e ndërtimit të një shteti dinjitoz dhe të një shteti për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Na priftë e mbara zoti kryeministër”, ka thënë Pacolli.

Lidhur me atë nëse do ta votojnë të gjithë deputetët e PDK-së Behgjet Pacollin për president duke ditur se ka pasur zëra kundër, Thaçi ka theksuar se pret përmbylljen me sukses të konstituimit të Kuvendit, por edhe të institucioneve tjera, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.

“PDK dhe partnerët e koalicionit kanë një formulë shumë të qëndrueshme të punës efektive, të mirëbesimit, por edhe shumë të qartë programore, prandaj ky koalicion është bërë për Kosovën e re, me legjitimitet, por edhe me legalitet të plotë. Deri më tani kemi mbështetje të gjerë, e cila do të jetë një mbështetje që do të sigurojë zhvillimin e shpejtë dhe të mbarë të punës, por edhe përmbylljen me sukses të konstituimit të Kuvendit dhe të gjitha institucioneve”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, Pacolli ka shprehur besimin se do të marrë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e tij në postin e presidentit në Kuvendin e Kosovës.

“Unë besoj se përfaqësuesit e popullit të Kosovës do të votojnë për zgjedhjen time si president të Kosovës dhe unë prej momentit që ia filloj punës do të filloj implementimin e të gjitha obligimeve që parashihen me Kushtetutë”, ka thënë Pacolli.

Gjatë ditës PDK ka zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit edhe me SLS-në dhe Grupin 6 Plus, derisa marrëveshja me Listën Ibrahim Rugova pritet të bëhet nesër.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni