Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi Atin e Shenjtë për zhvillimet politike në Kosovë, rrugën evropiane dhe euroatlantike, ku theksoi faktin se Kosova është shembull për bashkëjetesën mes popujve dhe tolerancën fetare, raporton Lajmi.net

“Kosova është shembull i tolerancës fetare dhe i promovimit të paqes. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin. Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut i shpreha përkushtimin e qytetarëve tanë, që vlerat shpirtërore dhe demokratike t’i ruajmë e kultivojmë, në frymën e për të mirën përbashkët”, u shpreh Haradinaj..

Kryeministri Haradinaj, vlerësoi pritjen që iu bë nga Papa Françeku, duke thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetë mirënjohës Vatikanit për mbështetjen e dhënë gjatë dekadave të fundit, e po ashtu shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për një partneritet strategjik me Vatikanin.

“Vizita ime në Vatikan dhe takimi me Papa Françeskun është nder i madh për mua dhe popullin e Kosovës. E shfrytëzova këtë nder për të përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat më të mira të popullit të Kosovës për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, për Selinë e Shenjtë, pra për Vatikanin dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i ka përcjellur Atit të Shenjtë, një dhuratë nga populli i Kosovës, një letër – kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.

“Më bëri përshtypje se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ishte vërtetë njerëzor, me ngrohtësi të jashtëzakonshme, tha se “E kam në zemër popullin e Kosovës””, theksoi kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar lartë pritjen që i është në Vatikan, kryeministri Haradinaj theksoi se trajtimi dhe pritja me aq respekt, është dëshmi për thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Ai e dha bekimin, për Kosovën, një bekim që ishte prekës jo vetëm për mua, por për të gjithë ne, një ndjenjë e veçantë. U ndjeva i nderuar dhe vërtetë jam ndjerë i respektuar sot”,shtoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj u shpreh i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë.

“Ne e kemi me shumë rëndësi këtë marrëdhënie. Vatikani, po ashtu Selia e Shenjtë është anëtare në plotë organizata ndërkombëtare, sikurse e Interpolit dhe organizatat tjera. Jam thellë i bindur që në rrugëtimin tonë si Kosovë, do të na ndjenë. Jam i bindur që Selia e Shenjtë do ta ndjenë Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.

 Takimi me Papa Francesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë./Lajmi.net/

SHPËRNDAJE