Botërori i Formulës 1 e ngre siparin e tij këtë fundjavë, me Çmimin e Madh të Australisë.

 

Mercedesi dhe Hamiltoni përkufizohen si pretendentët kryesorë për të fituar titullin për Konstruktorë dhe Pilotë, por për ta këtë radhë do të ketë më shumë konkurrencë, të paktën kështu u duk nga testet e kryera në Barcelonë, me Ferrarin që  shihet si rivali kryesor i Mercedesit.

 

“Kam përshtypjen se Ferrari i këtij viti është makina më e shpejtë që kam drejtuar ndonjëherë. Megjithatë, në këtë moment nuk e dimë se në çfarë pozitash jemi. Jemi kuriozë të shohim se çfarë do të ndodhë. Provat kualifikuese janë të rëndësishme, shpresojmë që të bëjmë një paraqitje shumë më të mirë në krahasim me vitin e kaluar. Jemi të kënaqur me punën e bërë, por kjo nuk na garanton fitoren. Mercedesi mbetet favorit”, tha Vettel

 

Ndryshe mendon Lewis Hamilton, me britanikun që cilëson si pretendent për fitoren në Melburn pikërisht Kokëkuqen italiane, ndërkohë që nuk e fsheh dëshirën për një duel me Sebastian Vettel.

 

“Ferrari është makinë shumë e shpejtë, favorite për të fituar garën në Australi. Ne ndoshta në këtë moment nuk kemi të njëjtën shpejtësi, por kjo nuk do të thotë që nuk do të përmirësohemi. Jemi gati për çdo sfidë, pasi rivaliteti i bën mirë sportit. Do të më pëlqente të dueloja me Vettelin, pasi në vitet e fundit kjo gjë nuk ka ndodhur shpesh. Një betejë sportive me të do tu pëlqente edhe tifozëve”, deklaroi Hamilton

SHPËRNDAJE