Sulmuesi shqiptar hyri në lojë në pjesën e dytë dhe solli fitoren ndaj Çikagos

Nga një si ai pritej. Dhe Hamdi Salihi nuk zhgënjeu në debutim. Sulmuesi shqiptar, Hamdi Salihi shënoi që në ndeshjen e tij të parë për DC Junajtid në SHBA, në një miqësore, madje duke mos qenë në fushë që nga minuta e parë.
Shkodrani u fut si zëvendësues në pjesën e dytë duke i dhënë fitoren skuadrës së tij ndaj Çikago Fajërit. Goli i Salihit erdhi në minutën e 66-të, ndërsa në mënyrë figurative, shqiptari shuajti zjarrin e Çikagos duke ndezur atë të Uashingtonit.
Një debutim i mrekullueshëm i lojtarit të kombëtares, i cili u la pushim këtë herë nga trajneri Xhani De Biazi për miqësoren që do të luhet më 29 shkurt në Gjeorgji.
Po ashtu, një sinjal i shkëlqyer për punëdhënësit e tij të rinj amerikanë dhe një hap i hedhur në rrugën e duhur. Jo më kot, në intervistën e parë në Uashington, Salihi theksonte se “kam ardhur të bëjë punën time, atë për të cilën paguhem, pra golat”.
Pas përvojave të shkëlqyera në Shqipëri dhe Austri, sulmuesi kuqezi ka nisur përvojën e re, atë në Amerikë.

SHPËRNDAJE