“Pres një Milan shumë agresiv, të fortë në lojën në ajër, me një lojtar si Ibrahimovic që bën diferencën. Luajmë kundër një prej ekipeve më të forta në botë.”

Këto janë fjalët e Pep Guardiola në prag të supersfidës që Barcelona e tij do të luajë përballë Milanit në San Siro të mërkurën në mbrëmje.

“Do të jetë një provë tjetër për lojtarët e mi edhe pse ata nuk kanë më çfarë të tregojnë. Kanë qenë të shkëlqyer dhe kanë fituar shumë tituj”, deklaroi tekniku katalanas para çerekfinales së Ligës së Kampioneve.

Guardiola nuk dha detaje mbi formacionin apo sistemin e lojës: “Nuk e di nëse do të luaj me 3 apo 4 mbrojtës. Mund të luaj edhe me 7 tek porta… Ndërroj sistemin në varësi të gjendjes së lojtarëve të mi dhe kundërshtarit. Jemi të përgatitur për të dominuar ndeshjen, por jemi të përgatitur edhe për të vuajtur dominimin e Milanit. E vetmja gjë e rëndësishme është të shënojmë gol në fushën kundërshtare.”

Në lidhje me Zlatan Ibrahimovic, ish-lojtar i Barcelonës me të cilin Guardiola kurrë nuk ka pasur një marrëdhënie të mirë, tekniku theksoi: “Ibra është shumë i rëndësishëm për Milanin dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të mbajmë topin dhe të mos lëmë që kuqezinjtë të pasojnë tek Ibra. Nëse ai merr topin është i pandalshëm. Zhvilloi një sezon të shkëlqyer me ne dhe kampionati që fituam është edhe i tij sepse luajti pothuajse në të gjitha ndeshjet e atij sezoni. Sfida Ibra-Guardiola është shpikur nga mediat, nuk ekziston ky “duel” që lexohet në gazeta. Unë mendoj vetëm të fitoj ndeshjen ndaj Milanit.”

SHPËRNDAJE