Me titullin “Maqedonia në kazanin kosovar” e përditshmja maqedonase ‘Fokus’ e ditës së Martë shkruan se në rajonin e Likovës dhe përgjatë kufirit Maqedoni – Kosovë ka grupe të uniformuara dhe të armatosura. Këto grupe të uniformuara, sipas gazetës, i kanë parë edhe policia dhe me këtë janë të njohur instancat më të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
‘Fokus’ ka kontaktuar ish-ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Pavle Trajanov i cili për gazetën në fjalë ka thënë se sipas informatave që ka ai, përgatitet destabilizimi i Kosovës pasi përgatitet marrja me forcë të veriut të Mitrovicës.
“Bëhet fjalë për një operacion të gjerë që përfshin në plan edhe destabilizimin e Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës me të cilën do të tentohet të tërhiqet vëmendja e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Jo rastësisht NATO ka kërkuar trupa shtesë në Kosovë”, ka thënë për gazetën Trajanov.
Ndryshe dje në artikullin e tij të përjavshëm gazetari i “Veçer” Dragan Pavloviq-Latas, i cili njihet si mik i ngushtë i kryeministrit Gruevski, për vrasjen e 5 maqedonasve para disa javësh në Shkup drejtoi gishtin kah kosovarët.

SHPËRNDAJE