Gruevski takim me Papandreun në Bruksel për emrin

Gruevski ka zhvilluar edhe një takim me Komisionerin për Zgjerim Stefan Fyle

Maqedonia dhe Greqia vazhdojnë kontaktet bilaterale në nivel të lartë edhe përkundër acarimit të raporteve që ndodhi pas ngritjes së statujës së Aleksandrit të Madh në sheshin e Shkupit. Kryeministrat e dy vendeve, Nikolla Gruevski dhe Jorgos Papandreu kanë realizuar takim të ri në Bruksel, ku kanë diskutuar mundësitë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Takimi i dy kryeministrave paraqet mesazh të shkëlqyeshëm, se ekziston vullnet te dy palët për të komunikuar në nivel më të lartë dhe për të krijuar kushte për tejkalimin e kontestit rreth emrit”, është shprehur Antonio Milloshoski, ministër maqedonas i Punëve të Jashtme.

Zgjidhja e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë është diskutuar edhe në takimin që Gruevski ka realizuar me Komisionerin Europian për Zgjerim Stefan Fyle. Eurokomisioneri Fyle e ka porositur Gruevskin se çështja e emrit, bashkë me reformat në administratë, gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit mbeten kushte thelbësore për përparimin e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

Në komunikatën e lëshuar pas takimit është theksuar edhe rëndësia e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Fyle ka paralajmëruar se në fillim të shatorit do të vizitojë Maqedoninë me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të kësaj marrëveshje.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni