Kryeministri Nikolla Gruevski kërkoi nga numri ‘një’ i Aleancës së Atlantikut të Veriut Anders Fog Rasmusen që Greqia, si anëtare e NATO-s të respektojë parimet e të drejtës ndërkombëtare, ndërsa vendet e aleancës të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pas takimit me Rasmusenin, Gruevski lëshoi një mori akuzash kundrejt Greqisë. Ai tha se ‘de facto’ Maqedonia nuk ka partner të besueshëm për të zhvilluar bisedimet për emrin, pasi Greqia refuzon takimet me pretekstin e krizës financiare.
“Duke u nisur nga fakti se shtylla kryesore kur dikush dëshiron zgjidhje të shpejtë, ka vullnet të fuqishëm dhe të vërtetë për këtë, atëherë ai menjëherë dëshiron të takojë këdo që mund të kontribuojë në ndonjë mënyrë në zgjidhjen e problemit… kur nuk dëshiron, ai i shmang takimet, ndërsa gjatë takimeve i shmang kontaktet direkte. Kështu që, për momentin ne nuk kemi partner të besueshëm për bisedimet… kryeministri grek thotë se nuk e ndjen këtë çështje në portofolin e tij, por vetëm zgjidhjen e problemeve financiare, ndërsa kandidati i ri për kryeministër e refuzoi takimin. Ne në fakt nuk kemi partner kredibil nëse marrim parasysh edhe faktin se z. Vasilakis shmang takimet me negociatorin tonë të autorizuar në bisedime”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër
Kryeministri Gruevski ka kërkuar që të rishqyrtohen konkluzionet e Samitit të NATO-s në Bukuresht të vitit 2008, të merret parasysh aktvendimi i gjykatës në Hagë dhe shtetet e NATO-s të kërkojnë nga Greqia të respektojë Marrëveshjen e vitit 1995.

SHPËRNDAJE