Ditë e re, parashikime të reja për daljen e Greqisë nga eurozona, njofton sot media greke, por kësaj here ajo thekson se kjo mund të ndodhë muajin e ardhshëm.

“Pyetja është kur e jo nëse. Muajin e ardhshëm në Gjermani do të ketë Ratifikim të Mekanizmit Evropian për Stabilitet (ESM) dhe është e mundur të shihni situatë në të cilën Greqia të dalë nga eurozona. ESM është ratifikuar. Spanja edhe Italia hyjnë dhe kërkojnë para. Ekziston ndjenja se koha po kalon”, deklaroi për CNBC-në Paul Dey, një nga ekonomistët kryesorë në “Market securities”.

Ai shtoi se presioni mbi shtetin problematik të kohëve të fundit është intensifikuar, numrat kurrsesi nuk përshtaten dhe prandaj disa politikanë evropianë e shqyrtojnë seriozisht të ardhmen e eurozonës pa Greqinë.

“Këtë e kemi parë shumë herë. Njerëzit duhet të ngrenë duart dhe të thonë se kjo nuk do të funksionojë dhe Greqia duhet të largohet. Shumica në Evropë dëshiron që projekti evropian të ketë sukses, politikanë në Gjermani dëshirojnë që euroja të mbetet e bashkuar, por nuk është e detyrueshme që Greqia të jetë pjesë e kësaj”, tha Dey.

Ndërkohë, miliarderi amerikan dhe eksperti ekonomik, Wilboor Ross deklaroi se Greqia është në gjendje akoma më të keqe nga ajo që mendojnë njerëzit.

“Unë jam për daljen e Greqisë nga eurozona edhe nga pikëpamja e Greqisë edhe nga pikëpamja e Bankës Qendrore Evropiane”, tha Ross për CNBC, pas paralajmërimeve se qeveria greke do të kërkojë vazhdimin e afatit për zbatimin e masave për kursim.

Mirëpo, Evropa sot është ballafaquar edhe me një paralajmërim fare të papritur. Sipas revistës më të rëndësishme finlandeze “Soumen Kuvelehti”, rikthimi në markat finlandeze tashmë është një mundësi reale.

Me financa të krahasueshme për nga qëndrueshmëria me ato të Gjermanisë, me një borxh të ulët të jashtëm e publik dhe me një standard të lartë jetese, Finlanda nuk është saktësisht kandidati që të gjithë presin për braktisjen e Eurozonës.

Megjithatë, angazhimi i Helsinkit ndaj Evropës së Bashkuar vendoset në rrezik nga rritja e ndjeshme e ndikimit të partisë euroskeptike të Timo Soinit.

I krijuar si një grupim i papërfillshëm në vitet 1990, partia në fjalë është shndërruar në forcën e tretë politike në vend dhe në zgjedhjet e fundit fitoi një total prej 19% të votave.

Sipas sondazheve, popullariteti i euroskeptikëve është në rritje dhe në zgjedhjet e ardhshme ata mund të tentojnë të formojnë një qeveri ose mund të jenë partner i domosdoshëm i çdo koalicioni qeverisës, kurse në programin e kësaj lëvizje, largimi i vendit nga eurozona është një prej përparësive kryesore.

SHPËRNDAJE