Greqi, kapen 885 kg kanabis nga Shqipëria

Të paktën 885 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa janë sekuestruar prej policisë greke në zonen e Epirit, gjatë një super operacioni të zhvilluar në 24 orët e fundit.

Sipas policisë greke, janë arrestuar katër shtetas shqiptarë, kater shtetas grekë, dy prej të cilëve femra dhe një shtetas bullgar. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe dy vetura, një sasi parash dhe një kamion.

Policia greke njoftoi se ka mundur të sekuestrojë lëndën narkotike në tre ngarkesa të ndryshme, gjatë orëve të mëngjesit të së hënës.

Ngarkesa e parë u sekuestrua ne Filat, vetëm pak kilometra larg kufirit shqiptaro-grek. Droga ishte ngarkuar në një kamion-frigorifer, gati për t’u dërguar në Athinë.

Sasia tjetër prej 160 kilogramë u ndalua në afërsi të Agrinjos, në një automjet me traga greke, drejtues i të cilës ishte një shtetas shqiptar dhe 180 kilogramë të tjera u sekuestruan në afërsi të Amfiloqisë, në një automjet me targa bullgare.

Agjentët e anti-drogës thanë se kishin muaj që po hetonin aktivitetin e organizatës kriminale. Sipas tyre, vlera e drogës e kalon 1.5 milionë euro.

Burime policore thanë se po vazhdojnë hetimet për arrestimin e të paktën 5 pjesëtarëve të kësaj organizate. Të arrestuarit iu dërguan gjykatës së Gumenicës, e cila u la masën e arrestit burg pa afat.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni