Grabovci: Mos e dashtë Zoti të ketë përplasje

grabovci-mos-e-dasht-euml-zoti-t-euml-ket-euml-p-euml-rplasje_hd

Vendimi i fundit i Kryesisë së Kuvendit se ulëset e mesit i takojnë Koalicionit Opozitar LDK-AAK-Nisma, ka tendosur edhe më shumë situatën mes dy blloqeve edhe ashtu të tensionuar që pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve.

Përfaqësues të PDK-së thonë se ulëset qendrore në sallën e Kuvendit i takojnë Grupit më të madh parlamentar, i cili ka dalë nga zgjedhjet nacionale të qershorit. Ata presin që oponentët e tyre të respektojnë vullnetin e qytetarëve.

Nënkryetari i kësaj partie, Adem Grabovci, deklaron për Politiko.net se çështja e pozicionimit të deputetëve në sallë nuk është fontanë dëshirash.

“Mund të shkojnë të kërkojnë ndonjë emision për fontanë dëshirash, por këtu është vullneti i qytetarit të Kosovës që përcakton dhe vendos”, ka thënë ai. “Mos e dashtë Zoti që të ketë përplasje. Qytetarët kërkojnë stabilitet, siguri, zhvillim dhe mirëqenie”.

Ai thotë se KQZ e ka radhitur PDK-në partinë që ka fituar në zgjedhje, prandaj thotë se “me Rregulloren e Kuvendit dhe me dhe ligjet në fuqi, të cilat i ka aprovuar po ajo fuqi, ballina i takon PDK-së dhe koalicionit të saj parazgjedhor”.

Në bazë të vendimit përfundimtar të Kryesisë së Kuvendit, e cila ka rrjedh sot në media, thuhet se deputetët e PDK-së do të ulen në anën e majtë të sallës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni