BLERIM SHALA

   S’je në gjendje të heqësh akullin prej rrugëve, s’je në gjendje të pastrosh politikën prej të korruptuarve, s’ ke guxim ta bësh ligjin përditshmëri, çfarë mund të bësh tjetër atëherë për Veriun, pos të llomotitësh dhe të recitosh poezi kinse patriotike

Pesëvjetori i Propozimit të Presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës, me 2 shkurt të këtij viti, koincidoi me vendimin e Kuvendit të Kosovës për të nisë ndërmarrjen e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, dhe me fjalët gjithnjë e më kumbuese për Planin katërpikësh të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiqit.
Të gjitha këto ngjarje që shënuan javën që shkoi, u përmbyllën me paraqitjen e rëndësishme të Anders Fogh Rasmussen-it, Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit NATO, garantit (të vetëm në terren, aktualisht), të sovranitetit të Republikës së Kosovës në anët problematike veriore, sipas të cilit, duhet gjetur zgjidhje politike për Veriun. E zgjidhje të tilla, nuk kërkohen dot në bisedimet e ashtuquajtura teknike të Prishtinës dhe Beogradit, në të cilat, hiç këtu dy-tre politikanë a zyrtarë të Prishtinës, nuk beson më askush.
Është ditë qysh tash një vit, kur flitej për këtë dialog, që teknika e tyre e përgatitur keq, herët a vonë të sjell tek dera e bisedimeve politike.
Edhe pse thuaja të gjithë politikanët e Kosovës përbehen ditë e natë në Ahtisaarin dhe në Propozimin e tij, veçmas kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Veriut të Kosovës prej kërcënimeve për propozimet shtesë që rrezikojnë tërësinë e funksionalitetit të njëmendtë të shtetit të Kosovës, pakkush pati kohë t’i flet dy-tri fjalë për rëndësinë politike dhe historike të 2 shkurtit, 2007, kur Presidenti Ahtisaari soli kumtin se çfarë duhet të ndodhë me Kosovën, në atë segmentin kyç të identitetit statutor.
Të jesh me Ahtisaarin, pos kur trajtohet tema e Veriut, nuk është fort e pëlqyeshme në këtë skenën e çoroditur politike kosovare të ditëve të sotme, prandaj edhe “flamuri” i tij ngrihet lart vetëm (por kjo po ndodhë gjithnjë e më shpesh), kur në mëngjes (dhe kjo po na ngjanë thuaja përditë), mbi tavolinën tonë gjejmë një tjetër Plan për Veriun e Kosovës.
E mira e këtyre Planeve është që tani, në “Preambulën” e tyre, që të gjithë e kanë ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Vetë Presidenti i Serbisë, Tadiq, disa herë në këto javët e mbrama ka hedhë poshtë opsionin e ndarjes së Kosovës, me justifikimin që nuk ka përkrahës të tij ndër kryeqendrat perëndimore.
E keqja e tyre është që si pikënisjen e dytë e kanë realitetin e njohur të Veriut të Kosovës, për të provuar pastaj që Pakoja e Presdentit Ahtisaari të afrohet pak më shumë kah ky realitet, teksa jo vetëm zyrtarët e Prishtinës, por gati e gjitha politika kosovare, me zë gjithnjë e më të lartë, gjë që shfaqë dronë më shumë se sa një siguri në vetvete, thekson që Veriu duhet të hyjë brenda Ahtisaarit e jo anasjelltas: Ahtisaari t’i adaptohet rrethanave të papëlqyeshme të Veriut.
Ne flasim shumë këto ditë, Beogradi fare pak. Sepse po punon shumë më tepër se ne, që si përherë në këta muajt e fundit, jemi të zënë me teoritë e interpretimeve se kush çfarë ka thënë këtu dhe atje, dhe çfarë do të thotë pas disa ditëve.
Një organizim politik si ky i yni, që u bë kahre me borën dhe dimrin e sivjetmë, dimër ky që nuk njeh reciprocitetin karshi potencialit tonë organizativ (ndryshe, moti ndër ne do të duhej të ishte gjithmonë një pranverë e butë), e ka vështirë, shumë vështirë t’i imponohet kujdoqoftë me potencial politik, ekonomik, të sigurisë, për tëfillimin e lëmshit verior të Kosovës.
S’je në gjendje të heqësh akullin prej rrugëve, s’je në gjendje të pastrosh politikën kosovare prej të korruptuarve, nuk ke guxim ta bësh ligjin dhe rendin përditshmëri, askund në Kosovë, çfarë mund të bësh tjetër atëherë në Veri dhe për Veriun, pos të flasësh, lexo, të llomotitësh dhe të recitosh poezi kinse patriotike.
Në fjalorin brutal politik, punët qëndrojnë kështu: Tadiq e di që ka marrë fund puna e ndarjes së Kosovës, dhe këtë fakt e shfaq para diplomacisë perëndimore si një koncesion a lëshim pe prej tij, apo, si përqafim i realitetit. Por pastaj, ai thotë, përmes Planit të tij katërpikësh, që tani është radha që kosovarët ta bëjnë të njëjtën gjë, që edhe ata t’i hapin sytë dhe ta këqyrin Veriun me shikimin e tij. Veriu nuk mund të bëhet Serbi, thotë Tadiq, por as Kosovë, në kuptimin e plotë të fjalës, jo. Duhet diçka e ndërmjetme: Status Special, Ahtisaari Plus, Republika Srpska Minus, “zgjidh e merr”, vazhdon Tadiq. Kishat dhe manastiret ortodokse duhet të fitojnë eksterritorialitet, paratë e privatizimit duhet t’i ndajmë 50:50 (diku nja 300 milionë Euro së paku duhet të shkojnë në Serbi), dhe kështu me radhë.
Tadiq i ka figurat e bardha në këtë ndeshje shahu politik e diplomatik që ka nisë (e dihet që si në shah, ashtu edhe në politikë, përparësia e lëvizjes së parë ka përfitimet e veta), e ne, jo që nuk i kemi pranuar figurat e zeza, por themi me këmbëngulje që nuk e kemi ndërmend të luajmë fare, derisa Pakti NATO na e bën me dije që nuk do ta luajë lojën në vendin tonë.
Pozicioni politik i Prishtinës, i të gjithë neve pra, i ka të metat e tij, sepse ne, edhe pse kemi plotësisht të drejtë që e bëjmë këtë, apo që thirremi në Ahtisaarin, mendojmë që puna është e kryer në çastin kur “djajve” të ndryshëm që duan ta kodifikojnë prishjen e Veriut nga Kosova (qoftë edhe duke mbetur formalisht brenda saj), i përgjigjemi me fjalën magjike Ahtisaari, që duhet ta luajë rolin e kryqit në karshillëkun ndaj djallit.
Ahtisaari është padyshim zgjidhja e vetme për Veriun. Por në diplomacinë perëndimore, nuk ka shumë disponim të bëhet punë teksa në qarkullim e sipër është vetëm një solucion.
Është një luftë e madhe pra politike dhe diplomatike ta bindim sërish Perëndimin që Ahtisaari i ka të gjithat çfarë i duhen Veriut. Perëndimi do të na thotë që nëse binden serbët e Veriut, për te s’ka kurfarë problemi. Dhe kështu, mund të sillemi në rreth edhe një kohë, derisa Tadiq ta forcojë pozicionin e tij për Planin e ofruar.
Këto do të ndodhin teksa ne merremi me rrëfimet e fantazmave nga e kaluara. Të të gjitha llojeve.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, “Express”)

SHPËRNDAJE