(AIK-Presheva Jone)/botasot

Një nga studiuesit gjerman të arkeologjisë, Emily Glass ka në fokus të masterit “bunkerët shqiptarë’, si reliktet unike të Luftës së Ftohtë dhe komunizmit.

MAPO: Ju po studioni tezën tuaj të Masterit për bunkerët e Shqipërisë, në një kohë kur qytetarët shqiptarë tashmë as qe i perceptojnë më si pjesë të realitetit të tyre! Pse zgjodhët këtë temë?

Emily Glass: Unë e kam zgjedhur këtë temë pasi gjatë këtyre 8 vjetëve gjatë së cilave kam vizituar në mënyrë periodike Shqipërinë, jam bindur që këta bunkerë janë relikte unike e Luftës së Ftohtë dhe e komunizmit në vendin tuaj. Mendoj se është shumë normale që pasi ke jetuar kaq gjatë me to dhe je rritur i rrethuar prej tyre, të mos i dallosh më, duke qenë se janë tashmë pjesë e pandashme e ambientit që rrethon vendin tuaj. Mirëpo ato janë zakonisht objekti i parë që vihen re nga sytë e çdo turisti. Edhe në Angli ne kemi bunkerë disa nga Lufta e Parë Botërore, të tjerat nga Lufta e Dytë, por shumë prej tyre tashmë janë shkatërruar dhe nuk kemi kaq shumë sa në vendin tuaj. Arsyeja tjetër pse unë po i studioj ka të bëjë edhe me tezën time të Masterit, e fokusuar mbi “Arkeologjinë Historike dhe Botën Moderne”. Në këtë tezë janë shumë të rëndësishëm elementët e historisë së afërt, si për shembull bunkerët, të cilët unë i trajtoj si pjesë e peizazhit dhe gjeografisë, si pjesë të konfliktit, si elementë ushtarakë por edhe si pjesë të një identiteti. Duke u fokusuar kështu në atë nocion të ri të arkeologjisë së sotme që quhet “Arkeologjia Kontemporane”. Ndonëse në Shqipëri ka një shumëllojshmëri bunkerësh, si ato të vegjlit në formën e kërpudhave, ato më të mëdhenj që kanë shërbyer për strehimin e tankeve apo ato të tjerat të ndërtuara në formën e tuneleve, unë do të fokusohem vetëm tek bunkerët e llojit të parë, pra ata të vegjlit në formën e kërpudhave, pasi mendoj se ka më shumë histori personale njerëzore të lidhura me to, e me ushtarët që I kanë ndërtuar dhe përdorur, se me bunkerët e tjerë. Mendoj se këto bunkerë kanë një lidhje më të fortë mes së kaluarës dhe aktualitetit shqiptar.

MAPO: Si mund të jetë një bunker objekt i studimit të arkeologjisë?

Emily Glass: Arkeologjia studion të kaluarën dhe njerëzit që e kanë jetuar atë. Ata të cilët kanë jetuar e kanë punuar në një periudhë të caktuar historike – ndaj në këtë kontekst edhe bunkerët me gjithë historinë e tyre janë pjesë e këtij studimi. Kushdo mund të kuptojë aq shumë nga Shqipëria dhe për shqiptarët që nga vitet 70-të edhe pa u konsultuar me dokumente historikë apo duke folur me njerëz, por thjesht duke parë e studiuar bunkerët! Ne mund t’i studiojmë bunkerët si pjesë e një kulture materiale shqiptare, e duke i trajtuar ato për nga mënyra se si janë shpërndarë anekënd vendit, apo duke parë grafitet e vizatuara së fundmi në to, apo duke lexuar mbishkrimet e datave apo njerëzve mbi to. Dhe e gjithë kjo praktikë është shumë e ngjashme me mënyrën se si ne studiojmë shumë site të tjera mesjetare apo edhe romake. Për të patur konkluzione të qarta ne duhet që të studiojmë strukturat e këtyre bunkerëve dhe t’i krahasojmë pastaj me mbetje të tjera materiale të të njëjtës periudhë. Me bunkerët ka edhe një plus tjetër: që ne mund të flasim me njerëzit dhe mund të kemi edhe një perspektivë antropologjike të lidhura me përvoja jetësore të vetë njerëzve që në një moment apo në një tjetër me siguri kanë histori që lidhen me bunkerët. Mund të krahasojmë pastaj rezultatet edhe me artikuj apo informacione të tjera të shkruara dhe kësisoj mund të kemi një rezultat të mirëfilltë shkencor. E gjithë kjo është pjesë e asaj që ju përmenda më lart, arkeologjisë kontemporane e cila 10 apo 15 vjetët e fundit është bërë e rëndësishme në Angli.

 

MAPO: Na tregoni ndonjë moment interesant gjatë punës suaj studimore me bunkerët…

Emily Glass: Gjatë gjithë kohës së studimit kam kuptuar se çdo bunker mund të të tregojë historinë e një njeriu dhe se çdo njeri mund të ketë një histori të vetën për bunkerin! Kam biseduar me shumë njerëz në lidhje me bunkerët, që nga ushtarakë deri te fëmijë të cilët në një mënyrë apo në tjetrën kanë mundur të krijojnë lojëra të ndryshme në bunker, apo dhe me njerëz të tjerë që kanë mundur të kenë ndonjë përfitim nga bunkerët duke i përdorur ato shpesh si magazine për objekte të ndryshme materiale. Kam komunikuar edhe me njerëz që bunkerin e kanë parë si një formë të rehatshme izolimi dhe intimiteti! Interesante në të gjithë këtë kontekst është ndryshimi i përdorimit dhe i perceptimit të bunkerëve nga një periudhë kohore në tjetrën. I gjithë ky ndryshim, në vetvete tregon ndryshimet strukturore, shoqërore, ekonomike, sociale dhe politike të vendit tuaj.

Një histori gazmore: teksa po pikturonim disa bunkerë në Ksamil, na ofrohet një person dhe na pyet se pse po e bënim atë gjë. Pastaj na tregon se disa herë ai ishte strehuar në ato bunkerë duke pritur me pamje nga Korfuzi që “grekët të vinin”. Ishin kohëra të vështira dhe kohëra shpresash për njerëzit e thjeshtë. Na tregoi se në njërin prej atyre bunkerëve kishte pritur me orë e orë të tëra që nga Korfuzi të vinin grekët, të cilët nuk erdhën asnjëherë… Epo, kjo është jeta (qesh)…

SHPËRNDAJE