Gjiganti austriak “Strabag” tërhiqet nga Kosova

Kompania e njohur ndërtimore nga Austria, “Strabag”, po e braktis Kosovën. Kjo kompani, në vitin 2006 kishte blerë njërën nga guroret më të mëdha të ish-Jugosllavisë, në afërsi të Drenasit. Duke mos e gjetur veten në këtë treg të ashpër, ata po shesin çdo gjë që kanë investuar në Kosovë dhe po tërhiqen. “Strabag” ishte njëra nga katër kompanitë e parakualifikuara për tenderin e autostradës kosovare Vermicë – Merdar.

Ambienti i biznesit në Kosovë duket se nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj. Gjiganti austriaka, “Strabag”, i cili në Kosovë kishte investuar rreth 6 milionë euro, tani po shet çdo gjë dhe po kthehet në vendin e saj.

Një ish-menaxher kosovar thotë se investimi austriak u dëmtua nga politika dhe konkurrenca jolojale.

Gurorja në afërsi të Drenasit ishte blerë në vitin 2006 për 2,5 milionë euro. Përveç gurëthyesit, “Strabag” investoi edhe në ngritjen e një baze të asfaltit dhe vlera e përgjithshme e investimeve arriti në rreth 6 milionë euro.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie kanë bërë të ditur se kanë filluar procedurat e shitjes së gurëthyesit dhe të gjitha investimeve të bëra në Kosovë, për shkak të ambientit “jomiqësor” për biznes që gjetën në Kosovë.

Zëdhënësja e korporatës, Diana Klein, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë nisur procesin e shitjes. Ajo nuk ka dashur të japë shumë detaje rreth këtij procesi, por nuk ka ngurruar të shprehë pakënaqësinë për tregun dhe ambientin ekonomik në Kosovë.

“Në fakt, ‘Strabag’ nuk është e kënaqur me volumin e shitjes së produkteve të gurëthyesit dhe bazës së asfaltit. Për më tepër, ne kemi pritur një treg më të mirë dhe kushte më të mira ekonomike”, ka thënë Klein.

Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare për çmimin e shitjes, jozyrtarisht merret vesh se pritjet janë që çmimi të jetë rreth 5 milionë euro. “Strabag” ka biseduar me disa kompani të interesuara për të blerë investimet e saj, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Çmimi prej 5 milionësh duket tejet i lartë për vendorët. Pronari i kompanisë “Al Trade”, Bajram Gashani, i cili konsiderohej si një nga favoritët kryesor për blerjen e gurores në Drenas, është shprehur se tashmë është tërhequr. “Po kemi qenë të interesuar për ta blerë guroren në Drenas, por kjo më nuk është në planet tona biznesore”, i tha Gashani, gazetës.

Ndërkaq biznesmeni tjetër nga Skenderaj, Rrustem Rukolli, është shprehur se ky gurëthyes është “kafshatë e madhe” për të. Ai thotë se ka punuar një kohë të gjatë në Austri dhe e njeh mirë këtë veprimtari dhe ai kishte një ofertë tjetër për “Strabagun” nga Austria…


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni