Gjermania duhet të luftojë edhe me historinë në gjysmëfinalen e EURO 2012 ndaj Italisë, pasi kjo e fundit kurrë nuk është eliminuar nga gjermanët në një turne të madh.

Në Kampionatet Europiane dhe Kupat e Botës të zhvilluara deri tani, Gjermania dhe Italia janë ndeshur 6 herë mes tyre. Nëse do të përfshihen edhe miqësoret, Italia dhe Gjermania kanë luajtur 30 takime mes tyre: 14 fitore Italia, 7 Gjermania dhe 9 ndeshje kanë përfunduar barazim.

Në ndeshjet e rëndësishme, takimi i parë ka përfunduar 0-0 (Botërori i Kilit në vitin 1962). Për Italinë në portë ishte Lorenzo Buffon, xhaxhai i Gianluigi Buffon, portierit dhe kapitenit aktual të axurrëve.

Në Botërorin Meksikë 1970 u zhvillua një nga ndeshjet më emocionuese të historisë së futbollit. Ajo gjysmëfinale u fitua 4-3 nga italianët në prani të 105 mijë tifozëve në stadiumin Azteca.

Në Botërorin Argjentinë 1978, sërish barazim 0-0 në një ndeshje të vlefshme për fazën e grupeve.

Në finalen e Botërorit Spanjë 1982, Italia fiton 3-1 me gola të Rossi, Tardelli dhe Altobelli.

Në EURO 1988 të dy ekipet barazojnë 1-1 në ndeshjen e fazës së grupeve.

Ndeshja e fundit “serioze” mes Italisë dhe Gjermanisë është ajo e Botërorit Gjermani 2006. Gjysmëfinalja u fitua nga axurrët 2-0 me gola të Grosso dhe Del Piero.

Ndeshja klasike e radhës mes dy skuadrave legjendare të futbollit botëror do të luhet të enjten, e vlefshme për gjysmëfinalet e EURO 2012.

SHPËRNDAJE