Gjermania dhe Franca pro traktatit të ri për BE

 Takimi në Paris Merkel-Sarkozi Dy krerët e ekonomive më të mëdha të Europës, presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë vendosur të forcojnë aleancën për luftën ndaj krizës. Ne takimin dypalësh në Paris mes presidentit francez Sarkozi dhe kancelares gjermane Merkel është diskutuar mbi masat që duhet të merren në mënyrë të menjëhershme për daljen nga kriza e borxheve të eurozonës. Aleanca franko-gjermane është konsideruar e një rëndësie të veçantë për të dy liderët, duke marrë kështu edhe përgjegjësitë më të mëdha në luftën ndaj krizës. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Sarkozi deklaroi se qëllimi i përbashkët është rritja ekonomike. Presidenti frances u shpreh se ajo që ndodhi me Greqinë nuk duhet të përsëritet më. Pas këtij takimi Franca ka ndryshuar qëndrimin për eurobondin. Sarkozi theksoi se eurobondet, ose bonot e shpëtimit nuk janë zgjidhje për krizën aktuale. Këtë qëndrim e konfirmoi edhe kancelarja gjermane, e cila tha se Franca qëndron në të njëjtën linjë me Gjermaninë për çështjen e eurobondit. Ndër të tjera nga takimi është parë i një rëndësie të veçantë dhe ndryshimi i traktateve të BE-së, pavarësisht se të dy liderët e kanë konsideruar si një reformë të vështirë. Merkel dhe Sarkozi, kanë shprehur iniciativën e përbashkët për ruajtjen e stabilitetit të euros dhe rikthimin e besimit të tregjeve. Takimi i radhës në këtë javë vendimtare për euron do të pasojë më 9 dhjetor në Bruksel.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni