Mr. sc. Naim MUSLIU (Magjistër i shkencave të historisë)

Pas ndodhive që i përjetoi Shqipëria duke përfshirë edhe kazanë e Gjilanit gjatë vitit 1908, gjendja politike dhe ekonomike ishte ende e nderë dhe e tensionuar edhe në prag të vitit 1909, mes pushtetit osman dhe shqiptarëve respektivisht në mes xhonturqve dhe Lëvizjes Kombëtare.

Përveç situatës politike në fund të vitit 1908 dhe në fillim  të vitit 1909 që ishte e keqe dhe e pa sigurt, edhe situata ekonomike nuk kishte kurrfarë sigurie dhe ishte e paqëndrueshme, ndërsa popullsia ishte përfshirë nga skamja dhe varfëria. Ndihej shumë mungesa e mallrave, për disa arsye siç janë, të korrurat e dobëta të dy viteve të fundit dhe bojkotimi i mallrave austro-hungareze për shkak të aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Për të shtuar edhe më shumë mjerimin në popull, këtë vend e kishte kapluar një acar i madh dimëror. Edhe popullsia e Kosovës duke përfshirë edhe gjilanasit të cilët luftonin me skamjen dhe mjerimin, në anën tjetër pushtetarët xhonturq merreshin me forcimin e pozitave të tyre shtetërore duke mos u interesuar për gjendjen e mjerueshme që qëndronte në popull, për shkak të së cilës shkaktoheshin sëmundje të ndryshme që merrnin formën e zhvillimit me karakter epidemik dhe shfarosës për popullin.

Kjo gjendje e rëndë i detyronte shqiptarët të shisnin bagëtinë e tokën dhe u drejtuan qyteteve, ku edhe në qytete ishte një gjendje e ngjashme. Vështirësi të mëdha patën nga kriza e rëndë edhe zejtaria e tregtia, nga këto veprimtari më së shumti e përjetuan krizën tregtarët dhe prodhuesit e vegjël.

Për këtë gjendje të mjerueshme pohon edhe shtypi serb i kohës ku shkruan se në kazanë e Gjilanit po ndihej një uri e madhe për shkak të thatësisë që i ka kapluar këto vise dhe se është formuar një këshill emergjent për të ndihmuar popullin e uritur.

Për shkak të kësaj gjendje të vështirë ekonomike, nuk ishte e mirë as gjendja politike mes pushtetit dhe shqiptarëve. Pakënaqësia u shtua edhe më shumë kur autoritetet osmane filluan të mblidhnin të gjitha llojet e taksave për vitin 1909 dhe atyre të mbetura për dy vitet e fundit. Këtë e dëshmon edhe konsulli serb nga Shkupi në raportin e tij i cili pohon, se në Viset e Epërme, (sinonim për Shqipërinë Veriore) gjendja mes organeve të pushtetit dhe shqiptarëve po keqësohet edhe më shumë dhe shqiptarët kudo mbajnë tubime dhe deklarohen kundër dhënies së tatimeve.

Për të vështirësuar gjendjen edhe më shumë mes xhonturqve dhe shqiptarëve ishte edhe miratimi i ligjit për shërbim ushtarak në gusht të vitit 1908, i cili thërriste çdo të ri  në shërbim ushtarak pa dallim feje e kombi, të cilët shkaktuan kundërshtimin e popullsisë së Shqipërisë. Ky kundërshtim vinte për arsye se këta rekrut shqiptar dërgoheshin në viset e Azisë së Vogël e gjetiu, ku për shkak të klimës, malaries dhe luftërave vdisnin në masë. Për këtë gazeta “Dielli” shkruante se nga i gjithë numri i shqiptarëve , që u dërguan në Jemen, u kthyen prapa rreth 300 ushtarë. Për këtë arsye në shkurt të vitit 1909 malësorët e rrethinave të Dibrës, Pejës e Gjakovës ngritën krye kundër administratës osmane dhe komitetit “Bashkim e Përparim”.

Lëvizja Kombëtare që nga ditët e para të vitit 1909 doli me kërkesa të ndryshme para qeverisë qendrore të Perandorisë dhe Fuqive të Mëdha në të cilin ishte programi për autonominë e Shqipërisë, të cilën e kishin paraqitur klubet e ndryshme shqiptare dhe veprimtarët e dalluar të kauzës kombëtare.

Ishte e interesuar edhe Serbia me punën që bënte Lëvizja Kombëtare. Këtë e pohon edhe vendimi i 7 shkurtit të vitit 1909 i Ministrit të Jashtme të Serbisë, i cili kërkonte  nga konsujt e vetë në Prishtinë e Shkup që të informohej saktë se sa është e shprehur kërkesa për autonominë e Shqipërisë, dhe duhej që të kenë marrëdhënie të mira me shqiptarët, për t’i ndjekur nga afër të gjitha ngjarjet.

Në fillim të shkurtit të vitit 1909, kazaja e Pejës u shndërrua në qendër kryesore të qëndresës shqiptare, që e udhëhiqte Isa Boletini. Kishte shpërthyer edhe kryengritja e Dibrës gjatë muajit prill të vitit 1909 të udhëhequr nga Hysen Daci. Për të bashkërenduar sa më mirë luftën kryengritëse krerët e tyre mbajtën një takim në Lumë i cili ishte mjaftë frytdhënës dhe në përkrahje të Isa Boletinit ishte edhe kazaja e Gjilanit me krerët e saj.

Komitetit “Bashkim e Përparim” me politikën e tij nacionale që ndiqte, e thelloi armiqësinë edhe më shumë me shqiptarët dhe popujt tjerë jo turq. Këtë gjendje dëshironin ta shfrytëzonin qarqet reaksionare xhonturke në krye me Qemajl Pashën, që si objektiv e kishin që të kthejnë regjimin e vjetër në krye me sulltan Abdyl Hamitin II, që prisnin momentin për ta asgjësuar rendin kushtetues dhe vendosjen e absolutizmit. Këtë komplot e kishte organizuar opozita parlamentare në krye me partinë liberale “Ahrar”.

Kjo parti reaksionare përmes disa klerikëve proosmanë të Dibrës e Vilajetit të Kosovës shpresonin të bënin për vete shqiptarët e sidomos repartet ushtarake osmane që ishin të pakënaqur me sundimin xhonturk dhe të kryengritësve shqiptarë. Por, këta dhe deputet shqiptarë në parlamentin osman ishin shprehur kundër vendosjes së regjimit të vjetër dhe ishin vënë në mbrojtje të Kushtetutës me kërkesën për t’i siguruar të drejtat kombëtare.

Kundërrevolucioni kishte filluar me 13 prill 1909 (në natën midis 13 dhe 14 prillit) nga garnizoni ushtarak i Stambollit, i cili e rrëzoi qeverinë xhonturke. Shqiptarët edhe pse ishin në armiqësi me xhonturqit, iu përgjigjen ftesës së komitetit “Bashkim e Përparim” të Selanikut që ua dërgoj klubeve shqiptare për të mbrojtur Kushtetutën. Edhe krahinat veriore të Shqipërisë u bashkuan në mbrojtje të Kushtetutës edhe pse Abdyl Hamiti II shpresonte se do të jenë në anën e kundërrevolucionin.

Lidhur me këtë konsulli serb në Prishtinë, në raportin e tij dërguar Ministrit të Jashtëm me datë 19 shkurt 1909, shkruan se me gjithë tubimet e shumta nëpër xhami dhe konaqe, popullsia e këtyre viseve, kundërrevolucionin e kishin pritur me rezerva të mëdha dhe nuk ishin të kënaqur me këto ndryshime.

Këtë e dëshmon edhe konsulli francez në Manastir, në raportin që ia dërgoi qeverisë së tij, pohon se më 18 prill 1909, shqiptarët dhe ushtarët reaksionar (të quajtur nga xhonturqit) në pragun e këtyre ngjarjeve ishin bërë luftëtarë të denjë në mbrojtje të Kushtetutës.

Për të shtypur kundërrevolucionin ishte ngarkuar Armata e III, nën thirrjen e klubeve shqiptare që për mbrojtjen e Kushtetutës kishin mobilizuar vullnetarë shqiptarë nga Vilajeti i Kosovës e Manastirit dhe u bashkuan me Armatën e III e cila u dërgua në Stamboll për shtypjen e kryengritjes.

Pushteti i ngritur nga kundërrevolucioni, përmes myftiut të Prishtinës Mustafë Efendiu kishte bërë përpjekje që të shkonte në Shkup për t’i bindur shqiptarët që të përkrahin sundimin absolut. Por kjo u kundërshtua, dhe në mbledhjen e Shkupit e mbajtur më 17 prill 1909, në këtë tubim kishe marr pjesë edhe Hysen Pasha nga Gjilani i shoqëruar me djem të armatosur si truprojë. Aty u bë thirrje për përkrahjen e Kushtetutës dhe për hyrjen e vullnetarëve shqiptarë në repartet ushtarake drejt Stambollit për shtypjen e kundërrevolucionit.

Sundimi i shkurtër hamitian ishte shtypur pas dy jave nga Armata e III, më 29 prill 1909 dhe u rivendos pushteti i komitetit “Bashkim e Përparim” duke e rrëzuar nga froni Abdyl Hamitin II dhe në vend të tij, në postin e sulltanit emërohet Mehmet Reshati V dhe kryeministër caktohet Hysen Hilmi Pasha. Ushtarët shqiptarë marshuan drejtë kryeqendrës së Perandorisë Osmane  me fjalët “Rroftë Shqipëria”, duke shpresuar se do të realizohen idealet e tyre kombëtare.

Lëvizja Kombëtare ishte treguar vigjilente përball kundërrevolucionit të 13 prillit 1909. Shumica dërmuese e krerëve të kësaj lëvizje mbështetën Kushtetutën dhe nuk e mbështetën as grushtetin, por as regjimin xhonturk. E mbështetën Kushtetutën me shpresën se do t’i realizonin të drejtat elementare kombëtare siç ishin shkollimi në gjuhën shqipe dhe me alfabet kombëtar. Konflikti mes centralizmit dhe osmanizmit të xhonturqve, në njërën anën, dhe aspiratave autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në anën tjetër, po përshkallëzohej gjithnjë e më shumë. Konflikti shqiptaro-xhonturk ishte i pashmangshëm. Megjithatë, edhe pse kazaja e Gjilanit e kishte një gjendje të vështirë ekonomike e politike prijësit e saj të Lëvizjes Kombëtare vepronin në plotësimin e kërkesave të saj që ia parashtronin autoriteteve osmane dhe kundërshtuan vendosmërisht kthimin e sulltanit gjatë kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909.

SHPËRNDAJE