Autoritetet shtetërore franceze kanë njoftuar se është gjetur trupi i pajetë i poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja.

Policia e Republikës së Francës po punon për zbardhjen e plotë të rastit, derisa ka njoftuar se aktualisht nuk mund të thuhet asgjë për rrethanat e vdekjes së poetit kosovar.

Poeti Ali Podrimja kishte humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève.

Lajmi për vdekjen e Ali Podrimes u kumtua nga Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

“Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja, në Francë”, thuhet në një njoftim të MPJ’së.

Hoxhaj i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.

“Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.

Ende asnjë lajm për fatin e poetit Ali Podrimja

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njofton se autoritetet franceze dhe ato kosovare po bëjnë të gjitha përpjekjet për gjetjen e vendndodhjes së poetit Ali Podrimja, i cili u zhduk tri ditë më parë. Megjithatë, ende nuk ka asnjë informatë se ku mund të ndodhet poeti Kosovar.

Podrimja po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin Lodève, ndërsa me zyrtarët dhe kolegët e festivalit i ka humbur kontaktet që nga 17 korriku në mbrëmje.

Ndërkohë, me familjarët dhe kolegët në Prishtinë, Podrimja ka kontaktuar për herë të fundit me 18 korrik në mëngjes.

“Ministri Hoxhaj vazhdon të jetë në kontakt me autoritetet franceze dhe Ambasadën e Kosovës në Paris, me qëllim që në çfarëdo forme të ndihmojë në gjetjen sa më të shpejtë të vendndodhjes së z. Podrimja”, thuhet në një njoftim të MPJ-së, transmeton KP.

Aktualisht, autoritetet kompetente franceze, po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të hulumtimeve jo vetëm në qytetin Lodeve por edhe në periferinë e qytetit dhe më tej.

SHPËRNDAJE